VLORË- Qendra e Shërbimeve Ligjore Evropiane (CELS) pas rasteve të helmimit të fëmijëve në kopshtin nr. 10 ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Vlorës. Në këtë mënyrë kërkohet nisja e hetimeve, identifikimi i personave përgjegjës dhe sekuestrimi i mostrave të ujit e ushqimit.
Më 11 nëntor 2026 është depozituar kallëzimi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Sipas CELS, që prej 6 nëntorit, dhjetëra fëmijë dhe të rritur kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre dhe temperaturë. Analizat e raportuara për depozitën e ujit të kopshtit kanë treguar mungesë klori dhe tregues të ndotjes fekale.
CELS thekson se deklaratat e institucioneve deri tani kanë qenë të pjesshme dhe kontradiktore. Përmes kallëzimit penal, organizata i kërkon Prokurorisë regjistrimin e menjëhershëm të procedimit penal, sekuestrimin urgjent të mostrave të ujit dhe ushqimit, si dhe të dokumentacionit që lidhet me klorinimin dhe mirëmbajtjen e depozitave.
Në kë ë mënyrë kërkohen ekspertime të pavarura mikrobiologjike, kimike, teknike dhe mjeko-ligjore, si dhe identifikimi dhe vënia para përgjegjësisë e çdo personi që mund të rezultojë përgjegjës.
“Kallëzimin e bëmë në interes publik, sepse fëmijët nuk mund t’i mbrojnë vetë të drejtat e tyre. Nuk akuzojmë asnjë person me emër. Kërkojmë një hetim të shpejtë, të pavarur dhe me prova, që të gjitha familjet të marrin përgjigje”, thuhet në reagimin e CELS.
Sipas organizatës theksohet se familjet e prekura do të përfitojnë ndihmë juridike dhe këshillim falas



