TIRANA- Projektligji i ri për strehimin social ka nxitur debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe qeverisë në komisionin parlamentar. Deputetët demokratë Klodiana Capja dhe Redi Muçi shprehën rezerva për nismën, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e saj përballë krizës së çmimeve në tregun e banesave.
Gjatë diskutimit me ministren Delina Ibrahimaj, Capja kritikoi kohën kur qeveria po ndërmerr këtë nismë, duke e lidhur atë me afrimin e zgjedhjeve. Sipas deputetes, politikat sociale nuk mund të mbeten vetëm premtime, ndërsa të rinjtë përballen çdo ditë me pamundësinë për të siguruar një banesë.
“Në prag të vitit elektoral qeveria kujtohet për politika sociale. Çdo i ri në shesh që proteston nuk ka asnjë mundësi të blejë një banesë. E gjithë kjo më duket se është në kuadër të propagandës”, u shpreh Capja.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën e ndarjes së banesave sociale në Elbasan, ku pretendoi se përfitues kanë qenë persona të lidhur me Partinë Socialiste. Në të njëjtën linjë kritike ishte edhe deputeti Redi Muçi. Ai solli në vëmendje hendekun mes rritjes së pagave dhe shtrenjtimit të apartamenteve në Tiranë, duke argumentuar se kostoja e banesave është rritur tre herë më shumë se të ardhurat nga pagat.
“Që kur keni ardhur ju në pushtet, kemi parë që raporti i rritjes së pagave me çmimin e apartamenteve në Tiranë është 1 me 3. Vetë sektori i ndërtimit po shkon drejt një flluske ekonomike që do të plasë, që mbahet në këmbë falë parave që vijnë nga pastrimi i parave të drogës. Këtë e vërtetojnë dosjet e SPAK-ut”, deklaroi Muçi.
Debati u shoqërua edhe me diskutime mes deputetëve të opozitës dhe kryetares së komisionit, Anila Denaj, e cila kërkoi paraqitjen e amendamenteve gjatë shqyrtimit të projektligjit. Capja shpjegoi se kishte zgjedhur të ishte e pranishme pavarësisht bojkotit të kolegëve, për të përfaqësuar shqetësimet e të rinjve dhe studentëve që kërkojnë zgjidhje për krizën e strehimit.
“Zonja Capja, në fillim mendova që nuk do të kishte përfaqësues nga opozita. Prezenca juaj dhe e zotit Muçi është e mirëpritur. Që të mos mbetet demagogji, keni ndonjë amendament për të paraqitur?”, iu drejtua Denaj deputetes së opozitës.
Nga ana e saj, ministrja Ibrahimaj mbrojti nismën, duke argumentuar se ndryshimet synojnë të sjellin mekanizma të rinj mbështetës dhe t’u përgjigjen nevojave aktuale të qytetarëve.
“Unë, sikurse e kanë bojkotuar shumë kolegë të mi komisionin, do ta bojkotoja, por meqë kjo çështje lidhet me një problem të madh të protestuesve, siç janë studentët, erdha dhe mora pjesë këtu për të sjellë zërin e atyre qytetarëve që në çdo mikrofon thonë se është bërë e pamundur të blesh një shtëpi në Tiranë, të marrësh një shtëpi në Tiranë. Për të sjellë zërin e tyre erdha në komision. Nuk dëgjova asnjë propozim. Propozimet nuk vijnë si pasojë e dështimit. Qëllimi është të fusim instrumente të reja, jo të hedhim poshtë një projektligj të suksesshëm”, deklaroi Capja.



