Grabitja me kallash e argjendarisë në Paskuqan, arrestohet njëri prej autorëve të dyshuar

Paskuqan – Policia e Tiranës dhe efektivët e Komisariatit Nr. 5 kanë arrestuar një prej personave të dyshuar për grabitjen me armë zjarri të argjendarisë “Luani” në Paskuqan.

Në pranga ka rënë Argys Kalsi, i cili dyshohet se është një nga autorët e ngjarjes. Sipas burimeve, i riu është arrestuar në Qafë Thanë, teksa dyshohet se po tentonte të largohej nga Shqipëria.

Kalsi raportohet se ishte identifikuar prej disa ditësh nga policia si një prej personave të dyshuar për grabitjen. Sipas të njëjtave burime, autoritetet e kishin mbajtur nën vëzhgim, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij dhe identifikimin e bashkëpunëtorit tjetër.

Hetuesit vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personit të dytë të dyshuar, ndërsa po mblidhen prova të tjera për të dokumentuar rolin e secilit në grabitjen e argjendarisë.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e autoriteteve kompetente.