Fluturoi me avion privat mbi një central bërthamor, Shqipëria kërkon ekstradimin e Ermal Beqirajt nga Franca

TIRANË – Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë autoriteteve franceze kërkesën zyrtare për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar pak ditë më parë në Francë.

Burime pranë Prokurorisë së Posaçme bëjnë me dije se kërkesa është depozituar pas procedurave të ndjekura nga SPAK, i cili i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë t’ua përcillte dokumentacionin autoriteteve ligjzbatuese franceze.

Bashkëngjitur kërkesës është edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme, e cila ka caktuar ndaj Beqirajt masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi ai dyshohet për kryerjen e shtatë veprave penale.

Biznesmeni u arrestua në Francë pasi u kap duke fluturuar me një avion privat mbi një central bërthamor, një shkelje që çoi në ndalimin e tij nga autoritetet franceze.

Ndërkohë, dy ditë më parë SPAK kërkoi sekuestrimin e disa pasurive të Beqirajt në Francë, të cilat dyshohen se burojnë nga veprimtari kriminale. Mes tyre përfshihen llogari bankare me një vlerë totale mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike.

Ermal Beqiraj kërkohet nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, ku dyshohet për përfshirje në abuzime me tenderët publikë.

Ndaj tij, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuzat për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup të strukturuar kriminal, kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Procedura e ekstradimit pritet të shqyrtohet nga autoritetet gjyqësore franceze, të cilat do të vendosin mbi kërkesën e paraqitur nga pala shqiptare.