BallinaAktualitetErjon Vishkulli përfundon me sukses operacionin e dytë në Romë, javën e...

Erjon Vishkulli përfundon me sukses operacionin e dytë në Romë, javën e ardhshme ndërhyrja vendimtare për shikimin

Romë, 11 nëntor 2026 – Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i plagosur në sy gjatë protestave të dhunshme të organizuara në Tiranë, ka njoftuar përfundimin me sukses të ndërhyrjes së dytë kirurgjikale të kryer në një spital të specializuar në Romë.

I riu nga Elbasani, i cili u dëmtua rëndë pasi u qëllua me plumb gome gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe efektivëve të policisë në sheshin “Skënderbej”, theksoi se sfida e tij shëndetësore vijon, ndërsa javën e ardhshme e pret operacioni më i rëndësishëm i këtij rrugëtimi mjekësor.

“Ndërhyrja sot kaloi me sukses, por beteja vazhdon. Javën e ardhshme më pret një tjetër ndërhyrje, ndoshta më e rëndësishmja e gjithë këtij rrugëtimi, pasi lidhet drejtpërdrejt me shikimin tim. Pas gjithë dhimbjeve dhe sfidave që kam kaluar, shpresa ime më e madhe është të rikthej dritën që dua të shoh në jetën time. Nuk e di çfarë më pret, por një gjë e di: nuk do të dorëzohem kurrë,” shkruan Vishkulli në rrjetet sociale.

Pas dëmtimit fillestar dhe mjekimit në Spitalin e Traumës në Tiranë, Vishkulli u dërgua drejt Italisë për ndërhyrje të specializuara. Ndërkohë, ngjarja ka vënë në lëvizje organet e drejtësisë, ku Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet dhe ka dërguar një letërporosi drejtuar autoriteteve italiane për të siguruar dhe sekuestruar objektin e huaj që do të hiqet nga syri i 28-vjeçarit, me qëllim kryerjen e ekspertizës balistike dhe verifikimin e përdorimit të forcës nga efektivët e policisë.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular