Erë e fortë, shembje, shkulje…Moti i keq ‘pushton’ Britaninë. Mbi 1 mln qytetarë pa energji elektrike

MBRETËRI E BASHKUAR- Stuhia Eowyn goditi sot pjesë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës duke sjellë shpejtësi rekord të erës, ndërprerje të përhapura të energjisë dhe ndërprerje të mëdha të udhëtimit. Më shumë se 1000 fluturime janë anuluar dhe trenat në të gjithë Skocinë nuk do të lëvizin deri nesër në drekë.

Gjithashtu era e fortë ka rrëzuar pemë, duke shkaktuar dëme në makina të parkuara dhe shtëpi. Në të njëjtën kohë, çatitë e disa ndërtesave u rrëzuan. Mësohet se paralajmërimi i kuq për Irlandën e Veriut ka përfunduar sot pasdite, ndërsa paralajmërimet e verdha mbeten në fuqi.

Ndërkohë, më shumë se një milionë banorë mbeten pa energji elektrike në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë për shkak të stuhisë Eowyn. Në Skoci, Irlandën Veriore dhe Republikën e Irlandës ka gjithsej 1,105,000 shtëpi, biznese dhe ferma që përjetojnë ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike.

Zyra e shërbimit të motit “Met” në Mbretërinë e Bashkuar tha se paralajmërimi i verdhë për Irlandën e Veriut do të qëndrojë në fuqi deri në orën 21:00 sonte (me orën lokale). Po ashtu meditat vendase bëjnë të ditur se një ndeshje mes Celtic dhe Dundee e planifikuar për nesër është në dyshim pasi klubi me bazë në Glasgow tha se stadiumi i tij ishte dëmtuar nga Storm Eowyn.

“Fatkeqësisht kushtet e rënda të motit të sotëm kanë shkaktuar disa dëme në Celtic Park. Stadiumi ynë dhe stafi i sigurisë aktualisht nuk janë në gjendje të vlerësojnë plotësisht shkallën e dëmit për shkak të kushteve ekstreme të vazhdueshme. Në dritën e kësaj dhe në mënyrë që ne të komunikojmë plotësisht dhe hapur me tifozët tanë, në interes të sigurisë së tifozëve, ne nuk jemi në gjendje të konfirmojmë në këtë fazë nëse ndeshja nesër mes Celtic dhe Dundee do të mund të vazhdojë”, thuhet në një deklaratë.