Emri/ Ekzekutimi i shqiptarit në Itali, ja kush është 35-vjeçari që u gjet në bagazhin e një makine me duar të lidhura

Një 35-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Itali, trupi i tij i pajetë është gjetur mëngjesin e sotëm brenda një automjeti. Viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti, me origjinë shqiptare, i cili nuk kishte një adresë të qëndrueshme banimi.

Nga ekzaminimet paraprake mjeko-ligjore dyshohet se Ferdinant Hoti është vrarë me armë zjarri. Hipoteza kryesore e hetuesve është se ngjarja mund të lidhet me larje hesapesh në qarqe kriminale të përfshira në trafikun e drogës.

Karabinierët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën përreth, ndërsa ekspertët do të ekzaminojnë me kujdes automjetin tip Fiat Bravo, për të kërkuar gjurmë të mundshme gjaku. Këto prova mund të ndihmojnë në përcaktimin e kohës dhe mënyrës se si trupi është futur në makinë.

Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse 35-vjeçari është vrarë në një vend tjetër dhe më pas është transportuar i pajetë në bagazh, apo nëse është qëlluar për vdekje pasi ndodhej brenda automjetit.

Një detaj i rëndësishëm për hetimin është fakti se sediljet e pasme të makinës ishin të palosura, ndërsa duart e viktimës ishin të lidhura.