Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Ksamil, ku një 20-vjeçar francez është gjetur pa shenja jete në shezlongët e një plazhi, pranë një lokali.
Sipas Policisë, rreth orës 05:15, i riu, i identifikuar me inicialet M. M., dyshohet se është goditur me mjet prerës, pas një konflikti për motive të dobëta.
Në lidhje me ngjarjen, Policia ka identifikuar si autor të dyshuar shtetasin S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili dyshohet se është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë nisur kontrollet në terren për lokalizimin dhe kapjen e 29-vjeçarit, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e dinamikës së konfliktit dhe dokumentimin ligjor të saj.
Policia vijon kërkimet për kapjen e të dyshuarit, ndërsa hetimet për motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjes janë ende në vijim.




