Shqiptari Elvis Metvelaj, 42-vjeçari, i konsideruar nga autoritetet italiane si përgjegjës për vrasjen e Ornella Forastefanos, 46 vjeç, ka zgjedhur të mos përgjigjet gjatë seancës së zhvilluar këtë mëngjes para gjyqtarit për hetimet paraprake në Bari.
Metvelaj u paraqit para gjyqtarit për seancën e vleftësimit të ndalimit. I shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, ai shfrytëzoi të drejtën për të mos iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarit.
Gjyqtari ka rezervuar vendimin si për vleftësimin e ndalimit, ashtu edhe për masën e sigurisë së arrestit në burg, të kërkuar nga Prokuroria e Barit. Vendimi pritet të merret gjatë orëve në vijim.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë natës së 16 gushtit. Ornella Forastefano, 46 vjeç, u gjet në gjendje jashtëzakonisht të rëndë pasi ishte lënë para spitalit të Trebisacce, në provincën e Kozencës.
Gruaja, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Hetimet e autoriteteve italiane kanë çuar në dyshimet ndaj Elvis Metvelajt, i cili aktualisht ndodhet përballë procedurave gjyqësore në Bari.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta edhe në opinionin publik. Vajza e viktimës ka reaguar publikisht pas vdekjes së nënës së saj, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta lidhur tragjedinë me mbiemrin e saj dhe duke e cilësuar atë si pasojë të dhunës së ushtruar nga një burrë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa pritet vendimi i gjyqtarit mbi ndalimin dhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në burg.
Elvis Metvelaj u ndalua në portin e Barit nga autoritetet italiane, ndërsa sot, më 18 gusht, u paraqit para gjyqtarit për seancën e vleftësimit të ndalimit.
Prokuroria e Barit ka kërkuar zyrtarizimin e ndalimit dhe vendosjen e masës së arrestit në burg. Gjykatësi i hetimeve paraprake (GIP) e ka rezervuar vendimin, i cili pritet të merret në orët e ardhshme.
Në rast të vendosjes së masës së sigurisë, gjyqtari pritet njëkohësisht të deklarojë mungesën e kompetencës territoriale dhe të urdhërojë përcjelljen e akteve te prokuroria kompetente.
Dosja do t’i transferohet më pas Prokurorisë së Castrovillarit (Calabria), e cila ka kompetencën për të zhvilluar hetimet mbi vrasjen e 46-vjeçares, ngjarje e ndodhur në territorin e Kalabrisë.
Trupi i Ornella Forastefanos është transferuar në Katanzaro, ku ekzaminimi mjeko-ligjor do të kryhet nga ekipi i drejtuar nga profesoresha Isabella Aquila, pranë Spitalit Universitar “Dulbecco”.
Autopsia pritet të japë përgjigje mbi natyrën e plagëve, shkakun e vdekjes dhe, për aq sa është e mundur, kohën kur ka ndodhur vdekja. Këto të dhëna mund të jenë vendimtare për t’u krahasuar me rindërtimin e lëvizjeve të gruas gjatë orëve të fundit të jetës së saj.




