E zuri masivi i kromit në malin e Tërnovës në Bulqizë, nxirret trupi i pajetë i minatorit 40-vjeçar

BULQIZË- Ekipet e shpëtimit kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë të 40-vjeçarit Ilir Kolaveri, i cili dyshohet se u aksidentua gjatë punës në minierën e kromit në Tërnovë. Aksidenti fatal ndodhi të shtunën, kur Kolaveri ra në një furnelë brenda galerisë së minierës dhe mbeti i bllokuar nën një masiv minerali.

Menjëherë pas incidentit, u angazhuan ekipet e shpëtimit, të cilat punuan në kushte tepër të vështira, për shkak të terrenit të rrezikshëm dhe mundësisë së shembjeve të tjera brenda galerisë. Pas një operacioni prej reth 24 orësh trupi i 40-vjeçarit u nxor, por fatkeqësisht ai ishte pa shenja jete.

Miniera e kromit në Tërnovë administrohet nga kompania “Eternal Security”. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit, si dhe për të verifikuar nëse janë respektuar të gjitha standardet e sigurisë teknike gjatë punës në minierë.