E rëndë në Ksamil, 22-vjeçari humb jetën pasi u përplas me skafin e Policisë Kufitare

KSAMIL – Një ngjarje tragjike është regjistruar mbrëmjen e sotme në Ksamil, ku një i ri humbi jetën pas një aksidenti në det që përfshiu një mjet lundrues tip jet ski dhe një skaf të Policisë Kufitare.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 18:30, shtetasi A. K., 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar me një jet ski, dyshohet se është përplasur me një skaf të Policisë Kufitare, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut, në kuadër të monitorimit të hapësirës detare.

Si pasojë e përplasjes, i riu ka pësuar dëmtime të rënda. Ai është nxjerrë menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe persona të tjerë që ndodheshin në zonë, ndërsa është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 22-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Burime paraprake bëjnë me dije se viktima është Albiano Kreçi, banor i Ksamilit.

Menjëherë pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Autoritetet vijojnë hetimet, ndërsa pritet një komunikim i mëtejshëm zyrtar për detaje shtesë mbi ngjarjen.