E moshuara dhunohet me bastun nga bashkëshorti, dërgohet me urgjencë te Trauma në Tiranë


Një grua 78-vjeçare ka mbetur e plagosur rëndë në Pogradec, pasi është dhunuar nga bashkëshorti i saj rreth 80 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit në lagjen nr. 1 të qytetit, pas një konflikti të çastit mes tyre. Sipas të dhënave paraprake, i moshuari e ka goditur bashkëshorten me bastun, duke i shkaktuar dëmtime në kokë.

E dëmtuara ka marrë fillimisht ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit, ndërsa më pas është nisur me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Autori i dyshuar është shoqëruar në komisariat dhe po merret në pyetje, ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.