Dy zjarre brenda një dite në Cërrik/ Flakët pranë banesave dhe servisit, ndërhyjnë dy grupe zjarrfikëse

Dy vatra zjarri janë regjistruar gjatë ditës së sotme në territorin e Bashkisë Cërrik, duke vënë në lëvizje shërbimin zjarrfikës. Ndërsa vatra e parë u lokalizua shpejt gjatë mëngjesit, një tjetër zjarr u shfaq në mbrëmje në fshatin Shalës, pranë banesave dhe një pike servisi.

Zjarri i dytë u konstatua rreth orës 21:00 në Njësinë Administrative Shalës. Flakët morën përmasa të konsiderueshme dhe afërsia me banesat dhe objektet përreth rriti rrezikun e përhapjes.

Pas marrjes së njoftimit, në zonë u angazhuan forca dhe mjete të shërbimit zjarrfikës. Dy grupe zjarrfikëse ndërhynë për izolimin e flakëve dhe për të mbajtur zjarrin larg banesave.

Si pasojë u dëmtuan disa pemë dekorative, ndërsa banesat pranë zonës nuk pësuan dëme.

Ndërhyrja e shërbimeve bëri të mundur kufizimin e zjarrit dhe shmangien e përhapjes së tij drejt objekteve të tjera.

Kjo ishte vatra e dytë e regjistruar brenda së njëjtës ditë në territorin e Bashkisë Cërrik. Zjarri i parë, i konstatuar në orët e mëngjesit, u vu nën kontroll pa shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Shkaqet e rënies së të dyja vatrave nuk janë ende të përcaktuara dhe pritet të sqarohen pas verifikimeve përkatëse.