Dorëhiqet rektori i Universitetit të Shkodrës, Tonin Gjuraj: Përplasje me Bordin e Administrimit

Shkodër, 11 qershor 2026 – Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, ka paraqitur dorëheqjen e parakohshme nga detyra, duke i dhënë fund mandatit të tij përpara përfundimit të afatit ligjor.

Vendimi është bërë i ditur përmes një letre zyrtare drejtuar Ministres së Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro Furxhi, ku Gjuraj rendit arsyet që, sipas tij, e kanë çuar drejt këtij hapi.

Në letrën e datës 11 qershor 2026, ai shpreh shqetësimin për marrëdhëniet me Bordin e Administrimit të universitetit, duke e akuzuar këtë strukturë për vendimmarrje të njëanshme, shkelje të kuadrit ligjor dhe ndërhyrje që, sipas tij, cenojnë parimin e autonomisë universitare.

Gjuraj thekson se gjatë ushtrimit të detyrës ka mbështetur proceset e reformimit dhe modernizimit të universitetit, ndërsa ka kundërshtuar çdo praktikë që, sipas tij, krijon pengesa për zhvillimin institucional dhe akademik.

Ai nënvizon se funksioni i rektorit është një përgjegjësi institucionale në shërbim të komunitetit universitar dhe jo një rol personal, duke theksuar se mandati i besuar nga stafi akademik dhe studentët duhet të ushtrohet me integritet dhe përgjegjësi.

Në përfundim të letrës së dorëheqjes, Gjuraj i kërkon Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë për të garantuar vijimësinë normale të funksionimit të Universitetit të Shkodrës pas largimit të tij nga detyra.

Dorëheqja vjen më pak se dy vite pasi ai mori drejtimin e universitetit, mandat për të cilin ishte zgjedhur nga komuniteti akademik në vitin 2024.

Pritet që në ditët në vijim institucionet përgjegjëse të nisin procedurat për zëvendësimin e rektorit dhe garantimin e vazhdimësisë së drejtimit akademik të universitetit.