Do të përcillet nesër për në banesën e fundit 33-vjeçari shqiptar Roland Sala, i cili humbi jetën pasi qëndroi për dy javë në koma, pas aksidentit tragjik në det në ishullin e Kretës.
Lajmi për ceremoninë mortore është bërë i ditur nga faqja “Këtu mblidhen Dibranët” në Facebook. Sipas njoftimit, Roland Sala do të përcillet për në banesën e fundit ditën e enjte, më 30 korrik, në orën 11:00, në fshatin Çidhën të Dibrës.
“Me dhimbje të thellë në zemër, njoftojmë të afërmit, miqtë dhe dashamirësit se është ndarë nga jeta djali ynë i shtrenjtë, Roland Sala. Ceremonia e varrimit do të bëhet ditën e enjte, më datë 30.07.2026, në orën 11:00, në Çidhën, Dibër. Pritja do të organizohet te lokali Hasan Krrashi”, thuhet në njoftimin e publikuar.
Siç është raportuar më herët, 33-vjeçari jetonte në Angli dhe kishte udhëtuar drejt ishullit të Kretës për të kaluar pushimet me familjarët. Gjatë kohës që ndodhej në det, ai u mor nga dallgët, duke pësuar asfiksi. Pas dy javësh në gjendje kome, Rolandi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.




