Briken Calja rikthehet te medaljet me rekordet e tij, kampioni shqiptar “thumbon” Federatën: Më hoqën trajnerin!

Image ref 79613537. Copyright Rex Shutterstock No reproduction without permission. Please see www.rexfeatures.com for more information.

TIRANË – Briken Calja është rikthyer te medaljet në mënyrën më të mirë të mundshme. Peshëngritësi shqiptar ka shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare, duke fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes, medaljen e bronzit në shtytje dhe duke vendosur katër rekorde të reja.

Calja ngriti 154 kilogramë në shkëputje, duke vendosur një nga rekordet më të rëndësishme të garës. Në këtë stil, sportisti shqiptar regjistroi rekorde në 47, 52 dhe 154 kilogramë, ndërsa një tjetër rekord e vendosi edhe në stilin e shtytjes.

Ky sukses merr një rëndësi të veçantë për Caljën, i cili rikthehet në arenën ndërkombëtare pas një periudhe të vështirë dhe rreth dy vitesh larg aktiviteteve.

“Ky është mbi të gjitha një rezultat historik. Përveç medaljes së artë në stilin e shkëputjes, theva dhe katër rekorde. Ky është një lajm shumë i mirë dhe mbi të gjitha një rezultat fantastik”, u shpreh Calja në një intervistë për Top Channel.

“Isha dy vite në pauzë, ëndrra ime ishte të rikthehesha me medalje”
Peshëngritësi shqiptar e cilësoi rikthimin si një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, sidomos pas vështirësive që ka kaluar.

“Pas 13 vitesh, kur kisha dhe probleme të mëdha dhe isha në një pauzë prej dy vitesh, ishte ëndrra ime më e madhe që të rikthehesha sërish me medalje dhe të isha prezent në Lojërat Mesdhetare. Normalisht që është diçka shumë madhore për mua”, tha ai.

Calja falënderoi familjen dhe të gjithë personat që e kanë mbështetur, ndërsa veçoi klubin Tirana, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Arsimit. Sipas tij, ndryshimet ligjore dhe mbështetja institucionale kanë qenë një stimul i rëndësishëm për rikthimin e tij.

Rënia me 8 kilogramë, një nga sfidat më të mëdha
Përtej rezultateve sportive, Calja tregoi edhe për vështirësitë fizike me të cilat është përballur përpara garës.

“Vështirësitë më bëjnë akoma më të fortë. Një ndër vështirësitë e mia më të mëdha ishte rënia nga pesha. Humba gati 7 kilogramë e gjysmë deri në 8 kilogramë dhe ishte një nga sfidat e mia më të mëdha. Fatmirësisht ia dola dhe ndihem jashtëzakonisht shumë i lumtur”, rrëfeu kampioni shqiptar.

“Federata la shumë për të dëshiruar, më hoqën trajnerin”
Calja foli hapur edhe për marrëdhënien me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, duke e cilësuar mbështetjen e saj si një prej problematikave kryesore gjatë aktivitetit.

“Një ndër problematikat kryesore ishte mbështetja e Federatës, që la shumë për të dëshiruar dhe mbi të gjitha ka qenë një dëm nga ana psikologjike. Më hoqën trajnerin. Nuk çuan trajnerin, që ishte kryesore”, deklaroi ai.

Sipas peshëngritësit, situata u zgjidh pas ndërhyrjes së Komitetit Olimpik, i cili bëri të mundur përfshirjen e trajnerit të tij në delegacion.

“Fatmirësisht, gjej rastin të falënderoj Komitetin Olimpik për rifutjen e emrit të trajnerit te shtesat. Ishte një moment që për mua… nuk di të gjej fjalën, sepse është vërtet për të ardhur keq. Nuk mund t’i hiqet trajneri kampionit të Botës dhe të Evropës! Por fatmirësisht ia dolëm dhe po flasim për medalje”, u shpreh Calja.

Debati për brezin e ri
Në fund të intervistës, kampioni shqiptar foli edhe për debatin mbi brezin e ri të peshëngritësve.

Calja tha se mbështet promovimin e sportistëve të rinj, por theksoi se rezultatet e kampionëve me përvojë nuk duhet të anashkalohen.

“Unë jam shumë dakord që të rinjtë janë e ardhmja, por nuk mund të anashkalosh një kampion Evrope, një kampion Bote, që herë pas here… është pjesë e medaljeve”, tha ai.

Duke iu referuar sërish mbështetjes nga Federata, Calja e mbylli me një deklaratë të fortë:

“Jo më larg se para tre-katër muajve u rishpalla kampion Evrope dhe së fundmi kampion i Mesdheut, dhe mbështetja e Federatës është… më mirë mos e them sepse është qesharake.”

Me dy medalje, katër rekorde dhe një rikthim të shumëpritur në arenën ndërkombëtare, Briken Calja e mbylli paraqitjen në Lojërat Mesdhetare me një sukses të rëndësishëm sportiv, por edhe me kritika të drejtpërdrejta ndaj mënyrës së mbështetjes së tij nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes.