TIRANË — Bordi i Transparencës ka caktuar plafonet e reja të shitjes së hidrokarbureve në tregun vendas, vendim i cili hyn në fuqi këtë të shtunë në orën 12:00.
Sipas vendimit të fundit, çmimi i naftës ka pësuar një ulje prej 6 lekësh për litër, duke u caktuar me një tavan prej 212 lekësh/litër për shitjen me pakicë dhe 200 lekësh/litër për tregtimin me shumicë. Ndërkohë, çmimi i me pakicë i benzinës mbetet i pandryshuar në kuotën e 179 lekëve/litër, ndërsa me shumicë do të tregtohet me jo më shumë se 167 lekë/litër.
“Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 31 ora 12.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes”, njoftoi Bordi i Transparencës.
Autoritetet paralajmëruan se për çdo operator të tregtimit me shumicë apo pakicë që nuk zbaton vendimin e ri, do të aplikohet pezullimi i menjëhershëm i aktivitetit tregtar.
