Një apartament më i vogël, një porosi darke për një, një abonim personal dhe vetëm një biletë avioni. Në pamje të parë janë zgjedhje konsumi që nuk kanë shumë lidhje me njëra-tjetrën.
Por pas tyre qëndron një ndryshim demografik që po krijon kategorinë e konsumatorit të vetëm.
Familja shqiptare po zvogëlohet dhe kjo nuk po ndryshon vetëm mënyrën si jetojmë. Po ndryshon edhe atë që blejmë, sa blejmë, çfarë banesash kërkojmë dhe cilat shërbime përdorim.
Një ekonomi e ndërtuar për dekada rreth familjes po përballet gradualisht me një klient që kërkon shtëpi, ushqim, argëtim, udhëtime dhe shërbime vetëm për vete.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 numëroi 755,950 njësi ekonomike familjare në Shqipëri, me mesatarisht 3.2 anëtarë, nga 3.9 në Censin 2011. Po aq domethënëse është një tjetër shifër: 13.7% e familjeve shqiptare përbëhen tashmë nga vetëm një person. Në terma absolutë janë rreth 104 mijë familje.
Pas këtyre 104 mijë dyerve nuk jeton vetëm stereotipi i profesionistit të ri që ka zgjedhur pavarësinë. Ka të rinj që janë larguar nga shtëpia e prindërve, të divorcuar, të veja dhe të ve, të moshuar që kanë mbetur vetëm dhe familje të ndryshuara nga emigracioni.
Arsyet janë të ndryshme, por nga këndvështrimi i tregut kanë një pikë të përbashkët: konsumi organizohet rreth një personi.
Më pak njerëz, por më shumë njësi konsumi
Në një vend që po humbet popullsi, ideja se mund të krijohen tregje të reja duket në pamje të parë kontradiktore. Por demografia e konsumit nuk përcaktohet vetëm nga numri i njerëzve. Përcaktohet edhe nga mënyra se si ata organizohen në familje.
Një familje me katër anëtarë ka nevojë për një frigorifer, një lavatriçe, një kontratë interneti dhe një banesë. Katër familje me nga një person mund të kenë nevojë për katër. Kjo nuk do të thotë se konsumi katërfishohet. Do të thotë se një pjesë e ekonomive të shkallës që krijohen brenda familjes humbasin.
Për dekada, pjesë të mëdha të ekonomisë së konsumit janë ndërtuar mbi familjen. Apartamentet projektoheshin për disa banorë, supermarketet favorizonin paketimet e mëdha, pushimet shiteshin për çifte ose familje dhe kostot fikse të shtëpisë ndaheshin mes disa personave.
Familja me një person e ndryshon këtë aritmetikë.
Në Europë ky transformim është më i avancuar. Eurostat raporton se familjet me një të rritur pa fëmijë janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit. Shqipëria mbetet një shoqëri me familje mesatarisht më të mëdha, por rënia nga 3.9 në 3.2 persona mes dy censeve tregon se drejtimi i ndryshimit është i qartë.
Sociologu Gëzim Tushi e sheh zvogëlimin e familjes si pjesë të një transformimi më të gjerë të shoqërisë shqiptare, ku modeli tradicional i familjes së madhe po humbet gradualisht terren përballë individualizimit të mënyrës së jetesës.
“Familja shqiptare ka ndryshuar jo vetëm në numër, por edhe në strukturë, në marrëdhëniet mes pjesëtarëve dhe në mënyrën se si organizohet jeta e individit.
Emigracioni, rënia e lindshmërisë, plakja e popullsisë, divorcet dhe forcimi i prirjeve individualiste kanë bërë që familja të jetë më e vogël dhe individi të bëhet gjithnjë e më shumë një njësi autonome e jetës sociale dhe ekonomike”, shpjegon z. Tushi.
Sipas tij, në këtë kontekst, rënia e popullsisë nuk duhet lexuar automatikisht si rënie proporcionale e numrit të njësive të konsumit. Nëse e njëjta popullsi shpërndahet në familje më të vogla, shtohet numri i njësive që duhet të organizojnë më vete jetën e përditshme.
“Një individ që jeton vetëm ka përsëri nevojë për banesë, energji, pajisje, internet, ushqim, transport dhe shërbime. Pra, mund të kemi më pak njerëz, por një fragmentim më të madh të familjes dhe, për pasojë, më shumë njësi autonome konsumi. Ky është një ndryshim që nuk ka vetëm pasoja demografike dhe sociale, por edhe ekonomike”, argumenton ai.
Por z. Tushi e sheh fenomenin edhe përtej konsumit. Familja shqiptare ka funksionuar tradicionalisht edhe si një mekanizëm informal solidariteti, ku kostot, kujdesi për fëmijët, të moshuarit dhe një pjesë e nevojave të përditshme ndaheshin mes anëtarëve. Tkurrja e saj bën që një pjesë e këtyre funksioneve të zhvendosen gradualisht jashtë familjes.
“Në momentin kur familja zvogëlohet, disa shërbime që më parë prodhoheshin brenda saj duhet të blihen në treg ose të ofrohen nga institucionet.
Kujdesi për të moshuarit, ushqimi, transporti, shërbimet shtëpiake dhe forma të tjera të mbështetjes mund të kthehen nga funksione familjare në shërbime ekonomike. Kjo është një nga pasojat më të rëndësishme të ndryshimit të strukturës familjare.”- thotë më tej ai.
Taksa e padukshme e të jetuarit vetëm
Të jetosh vetëm mund të nënkuptojë më shumë pavarësi. Ekonomikisht, shpesh nënkupton edhe një kosto më të lartë për person.
Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, në vitin 2022, një familje me një person në Shqipëri shpenzonte mesatarisht 46,660 lekë në muaj. Një familje me dy të rritur pa fëmijë shpenzonte 66,049 lekë në total, ose rreth 33 mijë lekë për person.
Në Tiranë, shpenzimet mesatare mujore të familjes me një person arrinin në 58,395 lekë, ndërsa për dy të rritur pa fëmijë ishin 74,426 lekë.
Individi konsumon më pak në total, por për disa nevoja bazë paguan më shumë për frymë. Qiraja nuk përgjysmohet sepse në apartament jeton vetëm një person.
Një frigorifer, lavatriçe apo kondicioner nuk kushton përgjysmë. Energjia ka një kosto nga përdorimi i pajisjeve, sado minimale, pavarësisht nëse përdoren nga një apo katër persona.
Ky është “single-person premium”: ajo që në gjuhën e ekonomisë njihet si kostoja e humbjes së ekonomive të shkallës së familjes. Dhe aty ku konsumatori humbet ekonomitë e shkallës, biznesi gjen një arsye për të rikrijuar ofertën.
Fenomeni ka edhe një pasojë më pak të dukshme. Një person që jeton vetëm ka më pak mundësi për të shpërndarë goditjet financiare brenda familjes. Një rritje qiraje, një pajisje që prishet apo një faturë e papritur rëndon mbi një të ardhur të vetme.
Për këtë arsye, familjet me një person në shumë raste janë edhe më të ekspozuara ndaj kostos së jetesës.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Selami Xhepa, rritja e numrit të familjeve me një person sjell edhe një ndryshim në ekonominë e konsumit, pasi shumë prej kostove të jetesës nuk zvogëlohen në të njëjtën masë me numrin e anëtarëve të familjes.
“Një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve të familjes janë kosto fikse ose nuk ndryshojnë proporcionalisht me numrin e anëtarëve.
Kur këto kosto ndahen mes dy apo më shumë personave, shpenzimi për frymë ulet. Në rastin e një personi që jeton vetëm, e gjithë barra përballohet nga një e ardhur e vetme dhe pikërisht këtu humbasin ekonomitë e shkallës që krijohen brenda familjes”, shpjegon z. Xhepa.
Sipas tij, efekti nuk kufizohet vetëm te niveli më i lartë i shpenzimeve për frymë, por edhe tek ekspozimi më i madh financiar. “Një familje me dy të ardhura ka më shumë mundësi të amortizojë një rritje të qirasë, energjisë apo një shpenzim të papritur.
Për individin që jeton vetëm, të njëjtat goditje përqendrohen mbi një buxhet dhe një burim të vetëm të ardhurash. Kjo e bën këtë kategori më të ndjeshme ndaj rritjes së kostos së jetesës.”
Në terma më afatgjatë, shtimi i familjeve me një person mund të ndikojë edhe në strukturën e kërkesës.
“Nëse familjet bëhen më të vogla, tregu gradualisht duhet t’i përshtatet një konsumatori që kërkon sasi më të vogla, banesa më të vogla dhe shërbime më fleksibël.
Pra, ndryshimi demografik nuk ndikon vetëm te niveli i konsumit, por edhe te lloji i produkteve dhe shërbimeve që kërkohen”, përfundon Xhepa.
Shtëpia për një
Tregu ku ndryshimi demografik mund të bëhet më i dukshëm është ai i banesave. Për profesionistët beqarë, të rinjtë që largohen nga shtëpia e prindërve, të divorcuarit apo të moshuarit që jetojnë vetëm, studio dhe apartamenti 1+1 bëhen alternativa më praktike.
Në Shqipëri, ky fenomen bashkëjeton me një tjetër veçori të tregut. Sipas Censit 2023, 82.5% e familjeve zotërojnë banesën ku jetojnë, ndërsa 32.9% e banesave konvencionale rezultuan të pabanuara.
Por një apartament më i vogël nuk është domosdoshmërisht një apartament më i përballueshëm. Çmimi për metër katror mund të jetë i lartë, ndërsa një blerës i vetëm ka vetëm një të ardhur mbi të cilën të mbështesë kredinë. Për qiramarrësin, problemi është se nuk ka person të dytë me të cilin të ndajë qiranë.
Prandaj, “shtëpia për një” mund të jetë një produkt i kërkuar dhe njëkohësisht financiarisht i vështirë për konsumatorin që supozohet ta blejë ose ta marrë me qira.
Edhe tregu i pasurive të paluajtshme po nis të reflektojë ndryshimin e strukturës së familjes. Agjentët imobiliarë vërejnë se studio dhe apartamentet 1+1 janë ndër tipologjitë më të kërkuara, veçanërisht nga të rinjtë që jetojnë vetëm, profesionistët, çiftet pa fëmijë dhe blerësit që i shohin këto prona si investim për qira.
“Për apartamentet e vogla, kërkesa është e qëndrueshme, sepse kanë një bazë më të gjerë klientësh. Nuk kërkohen vetëm nga familjet e vogla, por edhe nga individët që duan të jetojnë më vete dhe nga investitorët që synojnë tregun e qirave.
Ajo që duhet parë është se sa nga kjo kërkesë lidhet realisht me ndryshimin e strukturës familjare dhe sa me çmimet e larta të banesave, që i shtyjnë blerësit drejt sipërfaqeve më të vogla”, shpjegon Xhemi Aliaj, konsulente imobiliare.
Një tregues interesant vjen edhe nga programet e strehimit të Bashkisë së Tiranës. Nga 1,231 individë dhe familje që përfituan në vitin 2025 nga faza e dytë e programit të subvencionimit të interesave të kredisë, 442 përfituan për garsoniere dhe 236 për apartamente 1+1.
Së bashku, njësitë e vogla përbënin rreth 55% të rasteve, kundrejt 41.4% për apartamentet 2+1 dhe vetëm 3.5% për 3+1.
Supermarketi ende mendon për familje
Ndryshimi vazhdon sapo konsumatori hyn në supermarket. Modeli tradicional favorizon sasinë. Paketimet familjare dhe formatet XXL zakonisht ofrojnë çmim më të mirë për njësi. Për një person, megjithatë, një paketim më i madh nuk është gjithmonë kursim.
Nëse një pjesë përfundon në kosh, avantazhi i çmimit zhduket.
Kjo hap treg për paketime individuale, gramatura më të vogla, ushqime me jetëgjatësi më të madhe dhe vakte të gatshme.
Për një familje, një shishe e madhe, një pako familjare apo blerja me shumicë mund të ulë koston për njësi. Për një person, e njëjta zgjedhje mund të krijojë mbetje. Ekonomia e vetmisë përplaset kështu me ekonominë tradicionale të supermarketit, ku ulja e çmimit shpesh vjen pikërisht nga rritja e sasisë.
Shembujt në botë tregojnë se kjo është parë si një mundësi e qartë biznesi. Prodhuesit mund të ndryshojnë gramaturat, supermarketet mund të rishikojnë asortimentin dhe industria ushqimore mund të shesë më shumë produkte të parapërgatitura. Por për konsumatorin, komoditeti i porcionit individual mund të vijë me një premium.
Diferenca mes konsumit individual dhe atij familjar mund të shihet edhe drejtpërdrejt në raft. Në një nga pikat e Big Market në Tiranë, vihet re se një Coca-Cola 330 ml kushton 79 lekë, ose rreth 239 lekë për litër.
Shishja 900 ml kushton 100 lekë, ekuivalente me rreth 111 lekë për litër, ndërsa ajo 1.5 litra kushton 149 lekë, ose rreth 99 lekë për litër. Me fjalë të tjera, konsumatori që blen paketimin individual prej 330 ml paguan për të njëjtin litër produkt rreth 2.4 herë më shumë se ai që zgjedh shishen 1.5 litra.
Shembulli nuk mund të përgjithësohet automatikisht për të gjithë shportën ushqimore, por ilustron një nga paradokset e konsumit për një person. Japonia është ndoshta shembulli më interesant për këtë fenomen. Rritja e familjeve me një person që prej viteve 1980 lidhet me zhvillimin e rrjeteve “konbini”, si 7-Eleven Japan, FamilyMart dhe Lawson.
Dyqanet ofrojnë vakte të gatshme, garnitura, ushqime të çastit dhe produkte të tjera në formate të përshtatura për blerje të shpeshta dhe sasi të vogla. Instituti japonez NARO e lidh shprehimisht zhvillimin e ‘convenience stores’ me rritjen e familjeve me një person dhe familjeve me dy të ardhura.
E njëjta prirje po shihet edhe në Europë, ku industria e retail-it po identifikon familjet me një person si një segment gjithnjë e më të rëndësishëm për vaktet single-serve, paketimet më të vogla dhe produktet që reduktojnë mbetjet ushqimore.
Kuzhina përballë aplikacionit
Kur gatuhet për katër persona, koha dhe kostoja e përgatitjes së një vakti shpërndahen. Kur gatuhet për një, llogaria ndryshon. Një person duhet të blejë përbërësit, të gatuajë, të pastrojë dhe të menaxhojë atë që mbetet. Në këtë pikë, “delivery” nuk konkurron vetëm me restorantin tjetër. Konkurron me kuzhinën e shtëpisë.
Kështu, ajo që blihet nuk është më vetëm vakti. Blihet edhe koha që do të duhej për të shkuar në supermarket, për të zgjedhur produktet, për të gatuar dhe më pas për të pastruar.
Për një profesionist që jeton vetëm dhe kthehet vonë nga puna, kjo kohë mund të ketë një vlerë ekonomike më të madhe se diferenca mes kostos së përbërësve dhe një vakti të porositur.
Por konsumatori i vetëm përballet edhe këtu me një “premium”. Në listimet aktuale të “Baboon” në Tiranë, tarifat e delivery për shumë restorante lëvizin rreth 79-200 lekë.
Për shembull, një biznes që ofron vakte individuale ka tarifë dërgese 149 lekë dhe minimum porosie 400 lekë. Nëse një person porosit një darkë prej 600 lekësh, vetëm transporti do t’i shtonte faturës rreth 25%. Në një porosi familjare prej 2,000 lekësh, e njëjta tarifë do të përfaqësonte vetëm 7.5%.
Edhe promocionet tregojnë rëndësinë e madhësisë së shportës. Në platformë gjenden oferta me 200 lekë ulje për porosi mbi 1,000 lekë apo 300 lekë ulje kur porosia kalon 990 lekë.
Për një familje, arritja e këtij pragu mund të jetë e natyrshme. Për dikë që porosit vetëm një vakt, jo gjithmonë. Konsumatori individual mund të përfundojë kështu ose duke paguar proporcionalisht më shumë për delivery, ose duke shtuar produkte në shportë për të arritur pragun e ofertës.
Një biletë, një dhomë, një udhëtar
Edhe turizmi po përballet me konsumatorin që nuk pret më të krijojë çift apo grup për të udhëtuar. “Solo travel” është kthyer në kategori të dallueshme, ka ture ku individët bashkohen në destinacion, hostele premium, retreat-e, aktivitete të organizuara dhe eksperienca që rezervohen individualisht.
Por turizmi e ekspozon shumë qartë premium-in e të qenët vetëm. Hoteli shet dhomën, jo gjysmën e saj. Një taksi kushton pothuajse njësoj pavarësisht nëse brenda është një person apo tre. Në shumë ture, kostoja e guidës dhe transportit ndahet mes grupit.
Për operatorët, kjo krijon një produkt të ri, ku klienti udhëton vetëm, por konsumi organizohet në grup pasi mbërrin. Në vend të paketës tradicionale “për dy”, tregu mund të shesë më shumë nisje të garantuara, ture të përbashkëta dhe eksperienca ku nuk kërkohet shoqërues.
“Vitet e fundit po shohim gjithnjë e më shumë njerëz që vijnë vetëm në ture dhe bashkohen me grupin në nisje. Më parë kishte më shumë hezitim, sepse udhëtimi lidhej pothuajse gjithmonë me çiftin, familjen apo grupin e miqve.
Sot kemi klientë që nuk presin më të përputhin datat me dikë tjetër. Gjejnë një tur që u pëlqen, rezervojnë një vend dhe vijnë vetëm. Pastaj, praktikisht, udhëtimin e bëjnë me një grup njerëzish që nuk i kanë njohur më parë”, thotë Neri Ibi nga agjencia “My Albania Nature Explorers”.
Sipas tij, ky profil është veçanërisht i dukshëm në turet e natyrës, hiking dhe eksperiencat e organizuara.
“Ka edhe një element social shumë të fortë. Shumë prej tyre nuk po kërkojnë domosdoshmërisht të kalojnë disa ditë krejtësisht vetëm. Ata duan lirinë për të marrë vetë vendimin për të udhëtuar, por në destinacion parapëlqejnë të kenë një grup, një guidë dhe aktivitete të organizuara.
Pra, udhëton vetëm, por nuk je domosdoshmërisht vetëm gjatë udhëtimit.”- shton ai.
Kostoja, megjithatë, mbetet një nga disavantazhet kryesore. “Problemi më i dukshëm është akomodimi. Kur një dhomë është konceptuar për dy persona, klienti që e përdor vetëm duhet të përballojë një kosto më të lartë për person.
Ndërsa transporti, guida apo aktivitete të caktuara mund të ndahen me pjesën tjetër të grupit, dhoma individuale mbetet një kosto që nuk ka me kë të ndahet.” – thotë më tej ai.
Z. Ibi vlerëson se kjo po krijon gradualisht edhe një segment të veçantë për operatorët turistikë. “Tregu duhet të përshtatet me faktin që klienti, në disa raste, nuk është dy persona.
Ka gjithnjë e më shumë individë që kanë mundësinë financiare dhe dëshirën për të udhëtuar, por nuk duan që pushimet e tyre të varen nga disponibiliteti i një personi tjetër.
Për agjencitë kjo do të thotë të mendojnë më shumë për ture ku mund të rezervosh individualisht, nisje të garantuara dhe mënyra për ta mbajtur sa më të ulët koston shtesë të udhëtarit solo”, -përfundon ai.
Shoqëria artificiale
Ekonomia e vetmisë nuk përfundon tek apartamenti më i vogël, porosia për një person apo udhëtimi solo. Teknologjia po hap tregun më të pazakontë që keni dëgjuar vitet e fundit, atë të shoqërisë.
Chatbot-et me Inteligjencë Artificiale nuk përdoren më vetëm për të shkruar një email, për të kërkuar informacion apo për të ndihmuar në punë. Për një pjesë të përdoruesve, ato po bëhen edhe hapësirë bisede, këshillimi apo thjesht prani në fund të ditës. Dhe pikërisht këtu teknologjia gjen një nevojë të re për të monetizuar.
Pas një dite pune, një i rritur që jeton vetëm mund të hapë të njëjtën pajisje ku ka punuar gjithë ditën dhe të bisedojë me një sistem që përgjigjet menjëherë, kujton kontekstin dhe është i disponueshëm në çdo orë.
Nuk duhet të përputhen oraret, nuk ka nevojë të organizohet një kafe dhe as të pritet që dikush tjetër të jetë i lirë.
Në aspektin e biznesit, ky është ndoshta versioni më i avancuar i ekonomisë së personalizimit. Produkti nuk shet vetëm informacion apo argëtim, por vëmendje të individualizuar. Nëse streaming-u personalizoi atë që shohim dhe algoritmet atë që lexojmë, AI po tenton të personalizojë edhe bisedën.
Një klient, dhjetë abonime
Një tjetër industri që përshtatet natyrshëm me familjen me një person është ekonomia e abonimeve. Televizioni familjar është zëvendësuar pjesërisht nga llogaria personale në streaming. Muzika, cloud storage, aplikacionet e fitness-it, programet profesionale, telefonia dhe shërbime të tjera funksionojnë gjithnjë e më shumë me pagesë periodike.
Për biznesin, modeli është tërheqës sepse një klient individual kthehet në një rrjedhë të parashikueshme të ardhurash mujore. Për konsumatorin ndodh e kundërta, shpenzimet fragmentohen në shumë pagesa të vogla që përsëriten automatikisht.
Kjo e bën ekonominë e individit edhe ekonomi të abonimit. Në vend që familja të blejë një produkt që ndahet mes anëtarëve, secili mund të bëhet klient më vete. Një pagesë prej disa eurosh duket e vogël, dhjetë të tilla jo domosdoshmërisht.
Ndryshimi ka rëndësi edhe për bizneset shqiptare. Palestër, internet, platforma televizive, aplikacione, programe profesionale dhe shërbime të tjera mund të ndërtojnë marrëdhënie më të drejtpërdrejta me individin. Vlera nuk qëndron vetëm te çmimi i një abonimi, por te kohëzgjatja e klientit.
Kur komuniteti bëhet pjesë e produktit
Ekonomia e familjes me një person nuk përfundon te shtëpia, ushqimi apo pushimet. Ajo prek edhe mënyrën se si përdoret qyteti. Palestrat, coworking-et, kurset, klubet sportive, aktivitetet kulturore dhe eventet profesionale kanë një karakteristikë të përbashkët. Përveç shërbimit bazë, ofrojnë një hapësirë ku ka njerëz të tjerë.
Coworking-u shet tavolinë dhe internet, por për dikë që punon vetëm nga shtëpia mund të shesë edhe një rutinë dhe një mjedis social. Palestra shet aktivitet fizik, por është edhe hapësirë ndërveprimi.
Të njëjtën logjikë kanë kurset, klubet e vrapimit, retreat-et dhe eventet e networking-ut.
Disa forma komuniteti që dikur krijoheshin natyrshëm rreth familjes së madhe, lagjes apo vendit tradicional të punës, sot mund të bëhen pjesë e një shërbimi për të cilin paguhet. Nuk paguhet drejtpërdrejt për shoqërinë.
Paguhet tavolina, palestra, kursi apo aktiviteti. Por një pjesë e vlerës së produktit është pikërisht fakti se aty ndodhen njerëz të tjerë. Në këtë kuptim, komuniteti po kthehet në një atribut tregtar./Monitor



