“Besa” e Ramës nuk ndal protestat, qytetarët mblidhen përballë Kryeministrisë në ditën e 55-të

Protesta e qytetarëve dhe aktivistëve në Tiranë ka shënuar këtë të premte ditën e 55-të të saj, ndërsa tubimi i sotëm përkon me mbledhjen e paradites të kryeministrit Edi Rama me grupin parlamentar dhe qeverinë, ku u prezantua dokumenti “Besa”.

Gjatë fjalës së tij në mbledhje, Rama u shpreh se i ka dëgjuar protestuesit, duke deklaruar se përmes kësaj proteste ka njohur disa realitete, ndërsa bëri edhe kritika ndaj administratës publike.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas iu drejtuan bulevardit, duke u ndalur para godinës së Kryeministrisë, ku vijuan me thirrjet kundër qeverisë dhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Opozitë e shitur”, ishin disa prej thirrjeve të protestuesve.

Tubimi vijon të zhvillohet prej 55 ditësh radhazi, ndërsa pjesëmarrësit shprehen se do të vazhdojnë protestën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.