DURRËS — Punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Gjirin e Lalzit po vijojnë me dyer të mbyllura, ndërsa telefonat e anëtarëve të pranishëm në sallë rezultojnë të paaksesueshëm. Ende nuk është konfirmuar nëse pjesëmarrësve u është kërkuar t’i fikin pajisjet celulare apo nëse në ambientet e takimit është vendosur ndonjë sistem për bllokimin e sinjalit.
Kjo masë vjen menjëherë pasi kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi ndërprerjen e sinjalit televiziv për mediat, duke paralajmëruar se dëshironte të ndante disa fjalë vetëm me anëtarët e forumit drejtues përpara fjalimit të plotë publik.
Punimet e Asamblesë u hapën nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ndërsa më pas fjalën e mori kryeministri Rama. Përmbajtja e diskutimeve që po zhvillohen me dyer të mbyllura mbetet ende e panjohur, ndërsa pas përfundimit të këtij komunikimi pritet që Rama të mbajë një deklaratë publike për mediat.



