Aksident i rëndë në Itali, ndërron jetë shoferi italian, plagoset rëndë shqiptari

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak orë më parë në Friuli të Italisë, me bilanc një të vdekur dhe një të plagosur.

I plagosuri është një shofer shqiptar, që u transportua me urgjencë me një helikopter drejt spitalit në Udine. Kurse viktima është një shtetas italian.

Policia bëri me dije se përplasja e dhunshme ndodhi mes një kamioni të drejtuar nga shqiptari dhe një furgoni frigoriferik të drejtuar nga viktima, në zonën e Marianos.

Gjendja e shoferit shqiptar raportohet se është e rëndë dhe mjekët po bëjnë përpjekje për ta mbajtur në jetë, kurse emri i tij nuk bëhet i ditur.