BULQIZË – Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të diel në aksin Bulqizë–Klos, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve ka humbur jetën një person dhe janë plagosur katër të tjerë.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është identifikuar si Halil Gjashi, rreth 60 vjeç, i cili udhëtonte si pasagjer në njërin prej mjeteve të përfshira në aksident.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se në përplasje janë përfshirë dy automjete që drejtoheshin nga Xhoni Sallaku dhe Sajmir Cecja.
Përplasja rezultoi fatale për 60-vjeçarin, ndërsa katër persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve spitalore, një prej të lënduarve ndodhet në gjendje kritike, ndërsa të tjerët janë nën kujdesin e mjekëve.
Burime lokale raportojnë se personat e përfshirë në aksident po ktheheshin nga një ceremoni mortore në momentin kur ndodhi ngjarja tragjike.
Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor kanë nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë ngjarje me pasoja fatale.




