ELBASAN – Egnatia po i afrohet titullit të tretë kampion radhazi, teksa ka mbyllur pjesën e parë në avantazh 2-0 përballë FC Dinamo City në sfidën vendimtare të “Final Four”, që po zhvillohet në Elbasan Arena.
Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede gjeti epërsinë në minutën e 29-të, kur Albaneze u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, pas një ndërhyrjeje të Ismailit ndaj Bakajokos brenda zonës.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, rrogozhinasit dyfishuan shifrat. Një gabim i rëndë në mbrojtjen e Dinamos i dha mundësinë Albanezes të dilte i vetëm përballë portës, me sulmuesin që nuk gaboi dhe realizoi golin e dytë personal në këtë takim.
Më herët, në minutën e 36-të, kampi blu kishte pretendime për një penallti pas një kontakti në zonë mes Berishës dhe Sotës, por arbitri vendosi të vijonte lojën.
Me këtë rezultat, Egnatia është shumë pranë konfirmimit si kampione e Shqipërisë, ndërsa Dinamo do të duhet të reagojë në pjesën e dytë për të rikthyer ekuilibrat e sfidës.
Vllaznia dhe Elbasani në barazim pa gola
Në ndeshjen tjetër të “Final Four”, që po zhvillohet në Air Albania Stadium, KF Vllaznia dhe KF Elbasani kanë mbyllur pjesën e parë në barazim 0-0.
Shkodranët janë shfaqur më kërkues në sulm, por portieri Janaçek ka qenë vendimtar për Elbasanin, duke kryer disa pritje të rëndësishme dhe duke mbajtur të paprekur portën e tij.
Në këto momente, rezultati në Elbasan Arena favorizon plotësisht Egnatian, e cila po sheh gjithnjë e më pranë festën e titullit kampion.




