Dubai, 26 janar 2026
Një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, Bujar Sefa, i njohur edhe me nofkën “Xaka”, është arrestuar në Dubai në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen e personave në kërkim. Arrestimi u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Sipas autoriteteve, Sefa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pas një urdhri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), nën akuzën për trafik të lëndëve narkotike drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe drejtim të një grupi të strukturuar kriminal.
Nga hetimet rezulton se 39-vjeçari dyshohet se ka pasur rol drejtues në një rrjet kriminal të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, kryesisht në zonën e Krujës. Ai kishte arritur t’i shmangej arrestimit gjatë një operacioni policor në fshatin Nojë, ku u sekuestruan 145 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis, si dhe municion luftarak.
Emri i Bujar Sefës është i njohur edhe për autoritetet italiane të drejtësisë. Ai është dënuar në Itali me 12 vjet e 9 muaj burg, ndërsa ndaj tij është vendosur edhe konfiskimi i pasurive me vlerë rreth 346 mijë euro. Sipas dosjes hetimore, përgjimet telefonike kanë treguar se ai ishte përgjegjës për organizimin e aktivitetit kriminal dhe menaxhimin e personave të përfshirë në parcelat e kultivuara me kanabis.
Policia bën me dije se arrestimi është kryer në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve, grupin e strukturuar kriminal dhe mbajtjen pa leje të armëve.
Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e 39-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku ai do të përballet me drejtësinë.













