Pa masa, ndryshimet e klimës do të krijojnë 17 mld dollarë humbje në bujqësi

Sektori i bujqësisë dhe ekonomia e vendit do të përballen me humbje që përllogariten deri në 17 miliardë dollarë deri në vitin 2050 nga ndryshimet klimaterike sipas skenarëve që ka zhvilluar Programi i Kombeve të Bashkuara (PNUD) në kuadër të planit Kombëtar të adoptimin ndaj klimës.

Klima në Shqipëri pritet të ndryshojë ndjeshëm deri në vitin 2050, me rritje të temperaturave, ulje të reshjeve dhe rritje të ngjarjeve ekstreme, sipas projeksioneve kombëtare të klimës. Temperaturat mesatare vjetore do të rriten me rreth 2 gradë, ndërsa temperaturat maksimale me 2.8 gradë.

Reshjet vjetore pritet të ulen me 5.8%, ndërsa niveli i detit do të rritet me 28 cm, ndërsa numri i ditëve me reshje ekstreme do të arrijë 16, ndërsa vendi do të përballet me katër valë të nxehtësisë dhe 16 ditë shumë të ftohta në vit, thuhet në dokumentin e PNUD.

Këto ndryshime pritet të ndikojnë rëndë sektorin e bujqësisë dhe pyjeve, që përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare. Bujqësia, ku përfshihet edhe blegtoria, punëson rreth një të tretën e fuqisë punëtore dhe kontribuon me 15% të PBB-së, ndërsa pyjet mbulojnë 39% të territorit, por kanë humbur 334 mijë hektarë që nga viti 1938 për shkak të prerjeve të paligjshme, zjarreve dhe menaxhimit të dobët.

Për të përballuar këto sfida vetëm për sektorin bujqësor duhen zbatuar 66 masa, me një kosto të përgjithshme prej 9.8 miliardë dollarë, që synojnë në rregullimin e sistemeve të ujitjes dhe përmirësimin e menaxhimit të ujit për bujqësinë.

Në qendër të masave janë restaurimi i tokave dhe ekosistemeve për parandalimin e përmbytjeve dhe erozionit, mbrojtjen e fermerëve përmes sigurimeve dhe fondeve të kompensimit, zbatimin e programeve të pyllëzimit dhe agropylltarisë, forcimin e sistemeve kundër zjarreve dhe promovimin e financimit të qëndrueshëm për pyjet, etj.

Ekspertët paralajmërojnë se pa këto masa, humbjet e mundshme nga ndryshimet klimatike mund të tejkalojnë 17 miliardë dollarë. Ndërhyrjet synojnë të rrisin qëndrueshmërinë e ekosistemeve, të mbështesin rritjen e qëndrueshme dhe të përputhen me objektivat globale për adaptimin ndaj klimës.

Sektori i bujqësisë është kryesisht familjar, me 85% të fermave që kanë mesatarisht vetëm 1.2 hektarë, gjë që kufizon produktivitetin. Bimët janë më të rrezikuara se blegtoria, sidomos drithërat dhe perimet. Tek blegtoria, gjedhi dhe kuajt janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Ndërkohë, pyjet përballen me rritje të thatësirave, zjarreve dhe përhapjes së insekteve dhe sëmundjeve, që rrisin vulnerabilitetin e ekosistemeve./Monitor