Kishin marrë apartament me qira për pr*ostitucion, arrestohen dy shtetase nga Kazakistani

Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Rented”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetase nga Kazakistani që ushtronin prostitucion në dy apartamente që kishin marrë me qira, në qytetin e Elbasanit.

Procedohet penalisht 39-vjeçarja që iu kishte dhënë me qira apartamentet.

Sekuestrohen shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, dokumente identifikimi dhe celularë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Rented”.

Nga hetimet u zbulua se 2 shtetase nga Kazakistani kishin marrë me qira dy apartamente në qytetin e Elbasanit, me qëllim ushtrimin e prostitucionit.

Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetaset Z. M., 37 vjeçe, dhe N. S., 38 vjeçe, të dyja banuese në Kazakistan, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për pronaren e dy apartamenteve, shtetasen M. C., 39 vjeçe, banuese në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Gjatë kontrolleve këto dy ambiente u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.