Kush ishte Gilmando Dani që u vra në atentatin e Rinasit, krahu i djathtë i Shullazit!

Një atentat ndodhi pak minuta më parë pranë aeroportit të Rinasit.

Viktimë e ngjarjes mbeti Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.

Nga atentati ka mbetur i palgosur edhe një person tjetër.

Po kush është Gilmando Dani?

Dani ka qenë një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, që vepronte për llogari të Emiliano Shullazit.

Gilmando Dani la qelinë e burgut rreth një vit e gjysmë më parë, pasi shleu të gjithë dënimin në lidhje me pjesëmarrjen në këtë grup të strukturuar kriminal.

Dani është akuzuar shpesh për vepra penale, konkretisht në gusht të 2009 pas vrasjes së 4 efektivëvë të policisë në Durrës nga Dritan Dajti.

Pas ngjarjes, kontrolli në banesën e Gilmando Danit u bë nën dyshimet se ai mund të kishte qenë në Durrës atë ditë, por më pas policia sqaroi se Dani ka qenë në Tiranë, edhe pse nuk ishte gjetur në banesë në momentin e kontrollit.

Ndërsa, në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit.

Ndërkohë, më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet.

Në atë kohë, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin. Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”.

Më pas, arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate.

Gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.

Gjithashtu ndaj Danit është bërë atentat dhe dy herë më parë, por mbeti i plagosur. Ngjarjet ndodhën në vitet 2011 dhe në 2015.

Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018 si pjesë e grupit të Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe më pas u lirua në vitin 2023 pasi kreu 3/4 e dënimit.