Harrojeni inceneratorin: Elbasani në kërkim të një landfilli të ri

Administratori i kompanisë Eco-Elb, Leli Kaja, që menaxhon zonën e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, duket se hoqi dorë njëherë e mirë nga vënia në punë e inceneratorit, ndërsa e konsideroi situatën emergjente gjatë një interpelance me Këshillin Bashkiak të qytetit më 29 korrik.

“Duhet ndërtuar një landfill i ri. Sasia e mbetjeve ka arritur të shembë disa skarpata anësore të landfillit,” tha Kaja, ndërsa akuzoi këshilltarët bashkiakë se nuk i ishin bërë krah për të gjetur një zgjidhje.

Sipas Kajës, në landfill hyjnë çdo ditë mbi 150 ton mbetje dhe është e pamundur sistemimi i kësaj sasie. “Do të ketë përsëri rrezik,” paralajmëroi ai.

E thirrur për shkak të zjarrit që shpërtheu në fillim të korrikut, interpelanca me Kajën nxorri një tjetër herë në pah krizën e thellë të trajtimit të mbetjeve për shkak të dështimit të projektit qeveritar me inceneratorët.

Inceneratori i Elbasanit është më i vogli mes tre impianteve të kontraktuara përmes skemës së partneritetit publik privat nga qeveria shqiptare dhe i kushtoi buxhetit të shtetit 26 milionë euro. Ndonëse u mburr nga qeveria për teknologjinë dhe zgjidhjen që do të ofronte në përpunimin e mbetjeve, impianti u ndez me hope dhe gjendet prej vitesh me defekt.

Prej vitit 2021, zona e trajtimit të mbetjeve në Elbasan menaxhohet nga kompania publike Eco Elb, e cila e mori atë në administrim përmes një kontrate qiraje nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Por kompania publike nuk mundi të vendosë në punë inceneratorin, ndërsa mali i plehrave në venddepozitimin pranë tij sa vjen e rritet.

Kriza e re në trajtimin e mbetjeve urbane është një efekt anësor i kontratave korruptive të inceneratorëve, që u kushtuan taksapaguesve mbi 150 milionë euro për impiante me probleme ose që nuk u ndërtuan asnjëherë.

Në këto kushte, Bashkia e Elbasanit po kërkon sërish ndihmën e qeverisë për të ndërtuar një landfill të ri ose për të zgjeruar venddepozitimin ekzistues.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja deklaroi në të njëjtën mbledhje të Këshillit Bashkiak se strategjia e qeverisë i detyronte ata që t’i dërgonin mbetjet në landfill, ndërsa shtoi se vetë bashkia nuk i kishte kapacitet financiare për të ndërtuar një të ri.

“E kemi të pamundur të bëjmë një landfill të ri me buxhetin dhe i kemi shtrirë dorën qeverisë shqiptare që të bëjmë landfillin e ri. Jemi të gjithë të gatshëm të shohim vende të tjera për të landfillin e ri,” deklaroi Llatja.

Këshilltarët bashkiakë të të dyja kampeve shohin gjithashtu si të vetmen zgjidhje investimet e reja për t’i dhënë fund emergjencës mjedisore me plehrat.

Nënkryetari Zamir Muzhaqi që përfaqëson të djathtën deklaroi se kjo ishte një çështje imediate për qytetarët e Elbasanit që kërkon zgjidhje.

“Si mund të mos ju alarmojnë 250 mijë tonë mbetje, kur kapaciteti i landfillit është për 25 mijë ton?” tha ai.

Me një gjuhë më të rrumbullakosur, këshilltari socialist Bukurosh Stafa tha se Bashkia e Elbasanit nuk ka pasur dorë në çështjen e inceneratorëve.

“Ne si këshill nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër përveç një vendgrumbullimi të ri. Propozojmë që pas një muaji, bashkia të na sjellë propozim konkret për një landfill të ri,” tha ai.

Bardha Nergjoni reporter.al