U rrëzua teksa zbriste me litar shkëmbin, humb jetën turistja holandeze në Vlorë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Vlorë, ku një turiste ka ndërruar jetë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në gjirin e Filikurit, ku turistja 23-vjeçare nga Holanda, u rrëzua nga një shkëmb teksa po zbriste shkëmbin me litar për në një plazh pranë Potamit.

Sipas informacioneve të siguruara e reja po mbahej nga shoku i saj, i cili në një moment nuk ka arritur ta mbajë dot. Më pas ajo ka rënë 30 metra në shkëmb. Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

E plagosur ka mbetur edhe një 18-vjeçare që ndodhej aty pranë, si pasojë e rrëshqitjes së disa gurëve në momentin e ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Në vendin e quajtur “Gjiri i Filikur”, dyshohet se gjatë zbritjes nga shkëmbi me litar, është rrëzuar aksidentalisht shtetasja holandeze M. B., 23 vjeçe, të cilës iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua me ndihmën e Policisë Kufitare, por për shkak të dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë.

Gjithashtu, si pasojë e rrëshqitjes së disa gurëve në momentin e ngjarjes, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në spital, shtetasja franceze J. L., 18 vjeçe, e cila ndodhej në afërsi.