TIRANË- Numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar në spitale për janar-prill 2025 ka rënë me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s. Rënie është shënuar edhe te numri i pacientëve të shtruar te spitalet psikiatrike.
Sipas të dhënave të Raportit të Monitorimit të Treguesve Financiar, të Ministrisë së Shëndetësisë për janar-prill 2025 numri i të shtruarve në spitalet psikiatrike është pakësuar me 3.4%, pas një rritjes së shënuar në 2023.
Pavarësisht rënies së përgjithshme të shtrimeve, janë rritur rastet në kardiologji. Për periudhën janar-prill 2025 numri i pacientëve të trajtuar në kardiokirurgji është rritur me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke arritur në 3,899 pacientë. Ky është numri më i lartë i pacientëve të trajtuar në kardiologji që nga viti 2020, duke sinjalizuar parashikimet e bëra nga mjekët për shtim të rasteve me probleme kardiologjike si rezultat i ndotjes së ajrit, kequshqyerjes dhe mungesës së aktivitetit fizik.
INSTAT raportoi sw fundmi se vit pas viti vdekshmëria si rrjedhojë e sëmundjeve të aparatit të qarkullimit të gjakut po rritet, duke pasqyruar një stil jete jo të shëndetshëm. Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut përbënin 52,9% të totalit të vdekjeve në 2024, nga 51,7% në vitin 2023. Brenda këtij grupi sëmundjet kronike të zemrës përbënin 39,1%; sëmundjet ishemike të zemrës 23,2% dhe sëmundjet e enëve të trurit 20,6%.
Rritje e konsiderueshme është shënuar edhe te pacientët e trajtuar me katarakt (sëmundja e syve) me 15%, si dhe në seancat e dializës, që u rritën me 3%, duke arritur në 68,848 seanca. Shërbimi i urgjencës mjekësore, shënoi një rritje me 6%, pas një rënieje të ndjeshme që kishte nisur pas pandemisë së Covid-19.
Nga ana tjetër, shërbime të rëndësishme si radioterapia kanë shënuar rënie me 15% për periudhën janar-prill 2025, krahasuar me vitin 2024, duke kaluar nga 10,133 që u trajtuan vjet me seanca radioterapie në 8,662 pacientë.
Bie 15% numri i pacientëve të trajtuar me receta të barnave të rimbursueshme
Për periudhën janar-prill 2025 janë trajtuar 333,283 pacientë me recetat e barnave të rimbursueshme. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024, numri i tyre ëhstë ulur 15%.
Sipas të dhënave të raportit të monitorimit për rimbursimin e barnave të listës është shpenzuar për janar-prill rreth 3,8 miliardë lekë apo 31% e planit vjetor prej 12,6 miliardë lekë. Në këtë periudhë janë pranuar listëtregues të barnave në vlerën 3,9 mld lekë, ose 253,5 mln lekë më pak nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar (94%).
Për rimbursimin e pajisjeve mjekësore (fishave të diabetit) janë shpenzuar(paguar) 51,2 mln lekë nga 250 mln lekë të planit vjetor, ose 20% e planit vjetor. Për janar-prill kanë përfituar nga fishat e diabetit 46,048 pacientë, ose 3,641 pacientë më shumë nga e njëjta periudhë e një viti më parë.
Sa i përket rimbursimit të fishave të diabetit, me VKM nr. 492, datë 24.07.2024, përfituan përveç personave me Diabet Mellitus të grup moshës 0-25 vjeç dhe mbi 65 vjeç, edhe invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar.
Prej muajit gusht 2024 listës së barnave të rimbursueshme i janë shtuar 50 barna dhe medikamente të reja nga të cilat 38 principe aktive të reja dhe 18 forme doza të reja. Pas shtimit të tyre në total numri i barnave nga lista e rimbursueshme arriti në 1,345 bana nga 1,191 që ishte më parë.
Barnat nga lista e rimbursueshme mbështesin akoma më shumë të gjitha diagnozat dhe patologjitë e sëmundjeve onkologjike, sëmundje kardiovaskulare, diabetin, sëmundje të veshkave, astmën bronkiale, sëmundje pulmonare, etj./ Monitor
