🕌 Me rastin e Kurban Bajramit – Lajm i gëzueshëm për qytetin e Elbasanit
Me rastin e festës së begatë të Kurban Bajramit, jemi të gëzuar t’ju njoftojmë se është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit ndërmjet:
Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë,
Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA),
dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë – Myftinia Elbasan,
me mbështetjen e Bashkisë Elbasan, për restaurimin e pjesshëm të Xhamisë Mbret, një prej monumenteve më të çmuara të trashëgimisë sonë islame, e ndërtuar në vitin 1492 nga Sulltan Bajaziti i II-të.
Ky projekt do të përfshijë:
restaurimin e çatisë kryesore dhe të hajatit sipas strukturës origjinale,
rregullimin e hapësirave ndihmëse si abdes’hanet dhe tualetet,
dhe sistemimin e ambientit përreth xhamisë.
Ky lajm i mirë vjen në një nga ditët më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, duke e bërë këtë Kurban Bajram edhe më domethënës për qytetarët e Elbasanit dhe gjithë komunitetin besimtar në vend.
🤲 Urojmë që kjo vepër të jetë një ogur i mirë për forcimin e identitetit tonë shpirtëror dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë fetare e historike!
Gëzuar Kurban Bajramin!
🙏 Një falënderim i veçantë shkon për Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë dhe për Agjencinë TİKA, për përkushtimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e çmuar në realizimin e këtij projekti.
Myftinia Elbasanit
05.06.2025
