Ëndrra nuk plaket kurrë! 74-vjeçari Skënder Cena jep sot provimin e anglishtes në Kamëz

74-vjeçari Skënder Cena është maturanti më i vjetër që ka hyrë sot për të zhvilluar provimin e anglishtes në Kamëz. Cena i datëlindjes 08.11.1951, është një i moshuar me vullnet të hekurt që zgjodhi të trokasë sërish në dyert e Shkollës se Mesme Profesionale Kamëz.

Ai u regjistrua për të hyrë në provimin e gjuhës së huaj që do të zhvillohet me 3 qershor dhe më pas për të marrë diplomën e maturës shtetërore, në degën “shërbime mjetesh transporti”.

Po cila është historia e Skënderit? Dhe përse ai rikthehet pranë kësaj shkolle me shpresën për ta përmbyllur me sukses ciklin? I moshuari e ka përmbyllur procesin mësimor, cikli part time në vitin 2016. Atë vit, ai ka marrë të gjitha provimet përvec gjuhes së huaj anglisht.

E vetmja mundësi që ai të diplomohet është të hyjë në provim dhe të marrë notë kaluese. Ndaj ai ka bërë plotësimin e formularit A1Z, që të paraqitet në provim dhe të asistohet për shkak se ka shikim të dobët.

Ai sot dotë ulet në bankën e shkollës për të dhënë provimin, edhe pse është 74-vjec. Shembuj të tillë, si ai i Skënderit dëshmojnë se për tu shkolluar nuk është kurrë vonë. E këtë shembull më së shumti duhet ta ndjekin të rinjtë.