Në një atmosferë të mbushur me emocione dhe gëzim, nxënësit e klasës së parë të shkollës 9-vjeçare “Bardhyl Popa” zhvilluan festën e Abetares në ambientet e Teatrit “Skampa” në Elbasan. Ky moment i veçantë shënoi një etapë të rëndësishme në rrugëtimin e tyre të parë drejt dijes dhe arsimit.
Nën përkujdesjen dhe udhëheqjen e mësueses Doloresa Kacollja, fëmijët dhanë një shfaqje mbresëlënëse, duke përcjellë emocionin e mësimeve të para, dashurinë për librin dhe entuziazmin për të ardhmen. Prindër, familjarë dhe të ftuar të tjerë ndoqën me duartrokitje e emocion çdo moment të performancës së tyre.
Për mësuesen Doloresa, kjo festë mbart një simbolikë të veçantë, pasi ky është ndoshta brezi i fundit i nxënësve që ajo do të udhëheqë deri në klasën e pestë, përpara se të mbyllë me dinjitet një karrierë të gjatë e të suksesshme në arsim.
Ky aktivitet ishte jo vetëm një festë për fëmijët, por edhe një vlerësim për punën e palodhur të mësueses, e cila me përkushtim dhe dashuri ka udhëhequr hapat e parë të gjeneratave të tëra në botën e dijes.
Urime të përzemërta për të gjithë nxënësit, prindërit dhe veçanërisht për mësuesen Doloresa, që mbolli me pasion farat e dijes në zemrat e brezit të ri!
