TIRANË- Ditën e sotme do të kryhet ceremonia mortore për Kryepeshkopin Anastas Janullatos, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, që do të drejtohet nga Bartolemeu, i pari i ortodoksëve në botë. Kryepeshkopi do të prehet në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, amanet i lënë prej tij. Klerikët do të mbajnë meshë përshpirtjeje me turne e pa ndërprerje deri nesër, kur trupi i kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur në kriptën e nëndheshme, brenda Katedrales. Mitropoliti i Korçës, Imzot Joan, i cili u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale si pasardhës i përkohshëm, do të drejtojë ceremoninë e mortore. Për varrimin e Kryepeshkopit pritet të vijnë figurat më të larta të klerit në botë dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse.
Një delegacion pritet nga Vatikani me në krye Sekretarin e Shtetit, Pietro Parolin. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, po ashtu do të jetë i pranishëm me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar, ndërsa do ketë fjalime nga klerikë e politikanë, mes tyre edhe dy Kryeministrat Rama e Mitsotakis. Në ceremoni do të marrë pjesë Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu, Patriarku i Izraelit Theofili i Jerusalemit, Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi, Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë, etj. Gjithashtu, në ceremoni priten Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, drejtues të “Saint Egidio” në Itali; delegacion nga Këshilli Botëror i Kishave (institucion që përfshin të gjitha kishat, katolike, protestante apo ortodokse), përfaqësues nga unioni ‘Fetë për Paqen’, një delegacion nga kishat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj.
Prej dy ditësh në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet janë mbajtur homazhe për Kryepeshkopin e ndjerë, ku kanë marrë pjesë dhe qindra besimtarë. Kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të 25 janarit. Ai ndodhej prej 30 dhjetorit të 2024-ës i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë për shkak të një viroze stine. Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar.













