Dy të rinj nga Komuna e Rahovecit janë në mesin e 3 viktimave të një aksidenti të rëndë trafiku në Gjermani, ku u përfshinë 9 automjete.
Aksidenti ndodhi të dielën pasdite në rrugën B311, pranë qytetit Erbach, në landin Baden-Württemberg, shkruan KosovaPress.
Viktimat nga Kosova janë Leart Morina nga fshati Sopniq dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm, të dy nga Komuna e Rahovecit.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, 2 drejtuesit e automjeteve, të moshës 18 dhe 19 vjeç, kanë humbur jetën në vendin e aksidentit, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar ka ndërruar jetë disa orë më vonë në spital si pasojë e plagëve të rënda.
Nga përplasja kanë mbetur të lënduar edhe 3 persona të tjerë, përfshirë një 26-vjeçare, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Hetimet paraprake të autoriteteve gjermane tregojnë se aksidenti dyshohet të ketë ndodhur pasi drejtuesi 18-vjeçar ka humbur kontrollin mbi automjetin gjatë një manovre parakalimi me shpejtësi të lartë.
Sipas këtyre dyshimeve, automjeti fillimisht është përplasur me disa vetura të tjera, ndërsa më pas është goditur ballë për ballë me një automjet që po lëvizte në drejtim të kundërt.
Për shkak të përplasjes së rëndë, në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë njësi të shumta të policisë, zjarrfikësve dhe ekipeve të emergjencës.
Rruga B311 ka mbetur e bllokuar për qarkullim për më shumë se 20 orë, ndërsa autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Vdekjen e 2 të rinjve nga Rahoveci e ka konfirmuar edhe kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve Morina dhe Zeka.
Autoritetet gjermane ende nuk kanë përfunduar hetimet për shkaqet e aksidentit tragjik.



