KORÇË — Një nxënëse e një shkolle të mesme në qytetin e Korçës ka denoncuar mbrëmjen e djeshme në polici një mësues të shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, duke pretenduar se e ka ngacmuar seksualisht.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth një muaj më parë, teksa 17-vjeçarja merrte pjesë në stërvitjen e volejbollit në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, ku mësuesi jep mësim.
Në kallëzimin e bërë në komisariat, në prani të babait të saj dhe psikologes, e mitura ka deklaruar se mësuesi me iniciale E. C. ka kryer veprime me natyrë seksuale ndaj saj, duke e prekur në pjesë intime gjatë orës së stërvitjes.
Nga ana e Komisariatit të Policisë Korçë janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë brenda palestrës dhe do të kryhet këqyrja e pajisjes DVR, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Mësuesi është shoqëruar menjëherë në ambientet e komisariatit, ku në dëshminë e tij ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ai është proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa materialet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.



