Lushnjë, 13 nëntor 2026 – Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Lushnjë–Berat, pranë fshatit Kashtbardhë, ku një automjet tip “Ford” i marrë me qira ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor, i cili fatmirësisht nuk kishte ujë.
Në mjet udhëtonin tre motra emigrante nga Anglia, të cilat po udhëtonin drejt Beratit, së bashku me një foshnjë rreth dy muajshe. Nga përplasja ka mbetur e plagosur lehtë vetëm njëra prej pasagjereve, e cila u dërgua së bashku me fëmijën e mitur në Spitalin e Lushnjës për ekzaminime dhe kontroll mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave paraprake, shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë mungesa e ndriçimit rrugor, çka ka bërë që drejtuesja e mjetit të mos e dallojë kthesën dhe të vazhdojë lëvizjen drejt, duke përfunduar jashtë karrexhatës.
Fatmirësisht, automjeti po lëvizte me shpejtësi brenda normave të lejuara, faktor që ka shmangur pasoja më të rënda në njerëz duke lënë pas vetëm dëme materiale. Grupi hetimor i policisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti në këtë segment rrugor.
