Një tjetër letër e Arlinda Zekajt, e cila u vra një javë më parë në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj, ka dalë në dritë.
Në dokumentin e publikuar nga mediat fqinje, ajo i drejtohet institucioneve për të kërkuar mbrojtje, duke paralajmëruar se ndihej e rrezikuar dhe se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës.
Letra mban datën 7 shtator dhe i është drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati, me kërkesën për caktimin e një urdhri mbrojtjeje.
Në të, Arlinda shpreh shqetësimin për sigurinë e saj, ndërsa përmend edhe pasigurinë për vendndodhjen e fëmijës.
“Shkruaj si një grua që tani po e ndjen rrezikun për jetën e vet, ashtu edhe për jetën e fëmijës që nuk e di ku e kam”, thuhet në një prej pjesëve të letrës.
Dokumenti është bërë publik nga asamblistja e PSD-së në Komunën e Deçanit, Natyra Kuçi.

Në reagimin e saj, Kuçi shkruan se kjo ishte vetëm njëra prej lutjeve të Arlindës drejtuar institucioneve për të marrë mbrojtje.
Publikimi i letrës rikthen në vëmendje kërkesat e përsëritura të Zekajt për mbrojtje dhe shqetësimet që ajo kishte ngritur për sigurinë e saj përpara se të vritej.
