INAC, një organizatë e orientuar drejt informimit, edukimit mediatik, fuqizimit të të rinjve dhe aktivizimit qytetar, organizoi një forum me nxënës të gjimnazeve dhe studentë të gazetarisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Humane, veçanërisht Departamentin e Letërsisë dhe Gazetarisë.
Forumi u përqendrua te sfidat e informimit në kohën që jetojmë, përhapja e lajmeve të rreme dhe rëndësia e të menduarit kritik. Pjesëmarrësit diskutuan mbi mënyrat për të dalluar informacionin e besueshëm nga dezinformimi dhe për të qenë lexues e konsumatorë të kujdesshëm të përmbajtjeve mediatike.
Në hapje të aktivitetit, Fatbardha Nergjoni, drejtuese e INAC, theksoi rolin e rëndësishëm të gazetarisë në orientimin dhe informimin e publikut, si dhe përgjegjësinë që ka çdo qytetar për të analizuar në mënyrë kritike informacionin që konsumon dhe shpërndan.
Mirela Shella, drejtuese e Departamentit të Letërsisë dhe Gazetarisë, u ndal te rëndësia e komunikimit me të rinjtë dhe nevoja për të forcuar edukimin mediatik, duke i ndihmuar ata të përballen me sfidat e mjedisit të sotëm informativ.
Ndërkohë, Hektor Çiftja, pedagog i Komunikimit, mbajti një leksion mbi dezinformimin në kohën e inteligjencës artificiale, duke trajtuar sfidat që sjell zhvillimi i teknologjisë në krijimin, shpërndarjen dhe verifikimin e informacionit.
Një rol të veçantë në forum patën edhe studentët. Joana Sinani, studente e gazetarisë, solli këndvështrimin e të rinjve përballë dezinformimit, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të tyre për të zhvilluar aftësi kritike dhe për të marrë vendime të informuara.
Në përfundim, forumi vijoi me pyetje dhe diskutime të hapura, ku të rinjtë ndanë shqetësimet dhe përvojat e tyre lidhur me informacionin që hasin çdo ditë. Diskutimi u përqendrua gjithashtu te roli aktiv që ata mund të luajnë në promovimin e informacionit të besueshëm dhe në përhapjen e kulturës së edukimit mediatik.
Përmes këtij aktiviteti, INAC dhe Fakulteti i Shkencave Humane synuan të nxisin dialogun me të rinjtë dhe të forcojnë aftësinë e tyre për të menduar në mënyrë kritike, për të verifikuar informacionin dhe për të marrë pjesë në mënyrë të përgjegjshme në jetën qytetare.








