FRANCE – 73 gola në 65 ndeshje, trofe me Bayern Munich dhe një Botëror fantastik me Anglinë. Sulmuesi anglez kurorëzohet me çmimin më prestigjioz individual, duke lënë pas Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal. Harry Kane është fituesi i “Topit të Artë” 2026! Sulmuesi i Bayern Munich ka marrë çmimin më të rëndësishëm individual në futboll, pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku ka shkëlqyer si me klubin gjerman, ashtu edhe me kombëtaren e Anglisë.
Në moshën 33-vjeçare, kapiteni i Tre Luanëve ka realizuar 73 gola në 65 ndeshje, duke konfirmuar statusin e një prej sulmuesve më të frikshëm të futbollit botëror. Pas tij në podium u renditën francezi Kylian Mbappé dhe talenti spanjoll Lamine Yamal.
Me fanellën e Bayernit, Kane shënoi 36 gola në Bundesligë, duke përfunduar sezonin si golashënuesi më i mirë i kampionatit gjerman. Në Champions League realizoi 14 gola, duke u renditur pas Mbappé, i cili e mbylli kompeticionin me 15 rrjeta.
Megjithatë, kontributi i anglezit nuk u kufizua vetëm te golat. Cilësia në pasime, aftësia për të ndërtuar aksione dhe roli i tij si pikë referimi në sulm e kthyen në një nga lojtarët më vendimtarë të Bayern Munich, me të cilin fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë.
Edhe në skenën ndërkombëtare, Kane la gjurmë të rëndësishme. Ai shënoi gjashtë gola në Kupën e Botës 2026, ku Anglia përfundoi në vendin e tretë pas një fitoreje spektakolare 6-4 ndaj Francës në ndeshjen për medaljen e bronztë. Kapiteni anglez vendosi gjithashtu një rekord të ri për golat e shënuar nga një futbollist anglez në historinë e Botërorëve.
Me këtë triumf, Kane bëhet anglezi i pestë që fiton “Topin e Artë”, pas Stanley Matthews, Bobby Charlton, Kevin Keegan dhe Michael Owen. Një shpërblim i madh për një sulmues që e ka kthyer sezonin 2025-2026 në një nga më të rëndësishmit e karrierës së tij.
