Si skenë filmi! I burgosuri shqiptar arratiset nga spitali në Greqi, të armatosurit e kamufluar si policë bllokojnë eskortën e burgut

Një arratisje spektakolare ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Greqi, gjatë transferimit të një të burgosuri nga Burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, në oborrin e spitalit, pranë krahut psikiatrik, ku automjeti i transportit ndodhej bashkë me të burgosurin dhe dy punonjësit që e shoqëronin.

Sipas informacioneve paraprake, në vendngjarje u shfaqën dy automjete me drita që ngjanin me makina policie. Personat që ndodheshin në to iu afruan automjetit të burgut dhe, nën kërcënimin e armëve, neutralizuan eskortën.

Më pas, të armatosurit ndihmuan të burgosurin të largohej nga vendi i ngjarjes. Gjatë arratisjes, ata dyshohet se morën edhe armën e shërbimit të një prej punonjësve të burgut. Pas kësaj, autorët u larguan me automjetet e tyre dhe humbën gjurmët. I arratisuri është një shtetas shqiptar 41-vjeçar. Ai ishte arrestuar vitin e kaluar nga oficerët e Krimit të Organizuar, i dyshuar për tentativë vrasjeje në Selanik, pas një incidenti të ndodhur në një mensë.

Sipas informacioneve, 41-vjeçari dyshohej gjithashtu për përfshirje në raste të lidhura me armët dhe trafikun e drogës. Pas arratisjes, autoritetet greke nisën një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e shqiptarit dhe personave të armatosur që organizuan dhe realizuan arratisjen. Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbardhur mënyrën se si u organizua ndërhyrja dhe identitetin e personave që morën pjesë në të.