16-vjeçarja që ka lexuar 600 libra: Teknologjia mund të na zhvillojë

Në një kohë kur telefoni dhe rrjetet sociale dominojnë përditshmërinë e adoleshentëve, 16-vjeçarja nga Elbasani, Kamila Dunda, ka zgjedhur një rrugë tjetër. Deri më sot, ajo thotë se ka lexuar rreth 600 libra. Pasioni nisi në shtëpi, kur nëna i lexonte poezi, ende pa mësuar të lexonte vetë.

“E kam filluar rrugëtimin tim me librat kur unë nuk dija akoma të lexoja. Mami më lexonte vjersha dhe mendoj që kur kam qenë bebe ka nisur ajo lidhja e fortë me librin”, u shpreh ai.

Për Kamilën, çdo libër ka qenë një udhëtim. Ajo thotë se historitë i kanë dhënë mundësinë të njohë botë dhe përvoja që nuk do t’i kishte jetuar në realitet në këtë moshë.

“Unë nuk do të kisha parë kaq shumë eksperienca sa kam parë nga historitë që kanë shkruar njerëz të tjerë.”

Leximi, sipas saj, është kthyer në një mjet që i ka zhvilluar fjalorin, mendimin kritik dhe aftësinë për t’u shprehur. Kamila thotë se kjo ka ndikuar edhe në rezultatet e saj si nxënëse ekselente.

“Libri ka një vend shumë të veçantë në zemrën time pasi unë mendoj që përveç faktit që më është zhvilluar imagjinata, më ka ndikuar edhe tek fakti që jam bërë një nxënëse më e mirë pasi më ka zhvilluar fjalorin, më ka zhvilluar aftësitë e mendimit kritik, dhe kam aftësi të shprehem më lirshëm dhe nuk kam nevojë që të ngec apo të bëj pauza në mes të fjalive”, shtoi ajo.

Sigurimi i 600 librave fizikë nuk ka qenë i lehtë. Për këtë arsye, 16-vjeçarja ka zgjedhur t’i lexojë shumicën e tyre në format elektronik.

“Është e vështirë në aspektin financiar të sigurosh 600 libra fizikisht. Unë i shkarkoj online dhe i lexoj në telefon.”

Edhe pse pranon se, si çdo adoleshente, kalon kohë në rrjetet sociale, Kamila thotë se pasioni e orienton gjithmonë drejt leximit. Për të, teknologjia nuk është armiku i librit, por një mjet që mund të përdoret për zhvillim personal.

“Nuk dua të them që jam perfekte. Edhe unë humbas kohë në rrjete sociale. Por kur ke një pasion, shkon automatikisht drejt tij. Teknologjinë mund ta shfrytëzojmë për diçka që na zhvillon.”