TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është një hap larg udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet me dije se Lideri i opozitës është pajisur me vizë amerikane. Kryedemokrati mund të tërheqë pasaportën e tij gjatë paradites të së martës pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Pak më herët, Berisha deklaroi në një konferencë për mediat se dokumentet e tij për udhëtimin drejt SHBA-së ndodheshin ende në ambasadën amerikane dhe se nuk kishte marrë njoftim lidhur me pasaportën. I pyetur nëse e kishte tërhequr pasaportën dhe nëse kishte planifikuar takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, Berisha tha se deri në atë moment nuk kishte planifikuar asnjë takim.
Kryedemokrati theksoi gjatë deklaratës së tij se ai do të shkojë në Teksas, ku do të marrë pjesë në një konferencë të republikanëve amerikanë, si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokratik Ndërkombëtar.
Udhëtimi drejt SHBA-ve pritet të zhvillohet javën e ardhshme. Bashkë me Liderin e opozitës pritet të udhëtojnë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, si dhe Enri Ceno, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Demokratike.
Më 11 Qershor 2026, Kreut të Partisë Demokratike i është hequr sanksionimi i shpallur pesë vite më parë ku nuk lejohej që të hynte në SHBA. Ky vendim i marrë, i është komunikuar Berishës nga Departamenti i Shtetit, gjatë një bisedë telefonike disa minutëshe nga e ngarkuara me punë e SHBA-së Nancy VanHorn.
Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA më 19 maj 2021. Vendimi u njoftua nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili deklaroi se Berisha ishte përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm” gjatë ushtrimit të detyrave publike. Si pasojë, atij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Sipas deklaratës zyrtare amerikane, akuzat lidhen me shpërdorim fondesh publike, ndërhyrje në procese publike dhe përdorim të pushtetit për përfitime personale dhe për aleatët e tij politikë. Berisha i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar.




