Veliaj e largoi si kryetare e komanduar, Ristani jep dorëheqjen si nënkryetare: Koha do jetë gjykatësi më i drejtë

TIRANË- Anuela Ristani ka paraqitur dorëheqjen si nënkryetare e Bashkisë, pasi kryebashkiaku Erion Veliaj i hoqi nga qelia delegimin e kompetencave për drejtimin e bashkisë Tiranë. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Ristani shprehet se largohet sot me krenari dhe përulësi pas më shumë se një dekadë në shërbim të qytetit.

Në reagimin e saj, Ristani thekson transformimin e sheshit “Skënderbej”, të cilin e përshkruan si një simbol të ndryshimit të qytetit. Teksa falënderon të gjithë ata me të cilën ndau punën, Ristani përcjell edhe një mesazh, duke theksuar se koha është gjykatësi më i drejtë dhe më i paanshëm.

Reagimi i Anuela Ristanit:

Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë. Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër por të gjatë të sheshit “Skënderbej“ që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.

Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme, dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën. Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë.

Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse” edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit. Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi. Faleminderit të gjithëve!

Veliaj i hoqi Ristanit kompetencat për drejtimin e bashkisë më 28 gusht. Vendimi vjen pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli për më shumë se një vit. Sipas vendimit të Veliajt, rrethanat institucionale kanë ndryshuar pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë arsye, ai vlerëson se nuk ka më arsye për vijimin e delegimit të kompetencave te Ristani. Veliaj pretendon se gjatë kësaj periudhe ka pasur mungesë informimi dhe koordinimi institucional, si dhe moszbatim apo refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit të zgjedhur nga kryetarja e deleguar