SHBA– Një skandal i ashpër politike ka shpërthyer në SHBA, duke kthyer në qendër të vëmendjes Natalie Harp, asistenten 35-vjeçare të Presidentit Donald Trump, e cila konsiderohet si personi më i afërt dhe ruajtësja kryesore e hyrjeve në Zyrën Ovale.
The New York Times raporton se, përplasja nisi pasi senatori demokrat nga Georgia, Jon Ossoff, lëshoi një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Trump-it duke e akuzuar se nuk do të bëjë punën e presidentit, por preferon të “udhëtojë me Natalie-n në pallatin e tyre fluturues”.
Ky deklarim nxiti një reagim të furishëm nga e gjithë bota politike rreth Trump-it. Zyrtarë të Shtëpisë se Bardhë, ligjvënës dhe influencues konservatorë shpërthyen në rrjetet sociale duke mbrojtur Harp, çka solli akuza për seksizëm nga e djathta dhe përplasje me gazetarët.
Trazira arriti kulmin kur një llogari zyrtare e administratës sulmoi personalisht një gazetare të CNN-it, duke përfshirë edhe fëmijët e saj, pasi ajo pyeti Trump-in për këtë çështje. Prapaskenat e zbuluara nga mediat amerikane tregojnë se Harp gëzon një ndikim të jashtëzakonshëm dhe plotësisht jashtë zinxhirit zyrtar të komandës.
Ajo i shërben presidentit me të dhëna të paverifikuara direkt nga rrjetet sociale, përfshirë edhe përmbajtje mjaft kontroverse e me tone raciste që kanë shkaktuar skandale publike, si videoja ku çifti Obama paraqitej si majmunë.
Ajo e ndjek Trump-in kudo me një printer portativ me bateri për t’i dhënë në dorë lajmet dhe informacionet e printuara në letër në çdo moment. Ish-kolegët tregojnë për letra ku ajo pranon se harron të hajë e të flejë për t’i shërbyer Trump-it, ndërsa video të publika e tregojnë atë duke vrapuar me sprint pas makinës së golfit të presidentit.
Shembull i devotshmërisë së saj ekstreme ndaj presidentit është edhe një letër personale që ajo i ka dërguar Trump-it, ku dëshmon stërmundimin dhe izolimin në punë.
“Dëshiroj që gjërat të jenë gjithmonë mirë mes nesh. E di gjithashtu se kam qenë e shpërqendruar gjithë javën, duke harruar të ha gjatë ditëve, madje duke harruar të fle, dhe duke kapur vetëm nja dy orë gjumë herë pas here,” shkruante ajo, duke e mbyllur mesazhin me fjalët, “Me gjithë zemër, Natalie.”
Harp, e cila i jep meritën Trump-it për shpëtimin e jetës së saj nga kanceri falë një ligji për trajtime eksperimentale në vitin 2018, merr një pagë prej 150,000 dollarësh nga paratë e taksapaguesve amerikanë. Prania e saj vazhdon të ngjallë frustrim dhe shqetësim te pjesa tjetër e stafit drejtues në Uashington, të cilët e shohin atë si burim të informacionit toksik për presidentin




