Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka ndërhyrë për lirimin e burimit ujor dhe kanalit të ujitjes në fshatin Mirakë të Bashkisë së Librazhdit, duke rikthyer funksionalitetin e plotë të tij për vaditjen e tokave të zonës. Ndërhyrja erdhi pas ankesave të herëpashershme të banorëve të fshatrave Mirakë, Xibrakë dhe Polis, të cilët denoncuan bllokimin dhe dëmtimin e kanalit përmes punimeve të paautorizuara.
Pas verifikimeve në terren, inspektorët e IKMT-së konstatuan se shtetasi M.H. kishte kryer ndërtime të paligjshme, duke vendosur tuba plastikë dhe duke hedhur beton në shtratin e kanalit, çka kishte reduktuar ndjeshëm prurjen e ujit vetëm në diametrin e tubit, pa u pajisur me lejet përkatëse nga institucionet shtetërore.
Pas përfundimit të procedurave administrative, strukturat e IKMT-së ndërhynë për prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe kthimin e kanalit në gjendjen e tij origjinale, duke i dhënë fund problematikës për fermerët e tre fshatrave që varen nga ky burim për vaditjen e tokave bujqësore.






