PRISHTINË – Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë hyrë sot në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës konstituive. Veprimi i opozitës vjen pavarësisht se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e ka thirrur mbledhjen, megjithë kërkesën zyrtare me shkrim për ta mbajtur atë në orën 11:00.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve në sallë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka akuzuar udhëheqësinë e Lëvizjes Vetëvendosje për shkelje të qëllimshme të afateve kushtetuese, duke paralajmëruar se vendi ka rënë në një krizë të thellë kushtetuese. Hamza i bëri thirrje mazhorancës që të kthehet në sallë dhe të zhbllokojë procesin parlamentar, duke theksuar se shteti ndërtohet mbi Kushtetutë dhe jo mbi individë.




