TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike bilancin e situatës së zjarreve në vend deri në orën 20:00 të kësaj të diele, duke raportuar gjithsej 8 vatra të regjistruara në qarqet Tiranë, Fier, Durrës dhe Lezhë, nga të cilat 6 vijojnë të jenë aktive ndërsa 2 janë vënë nën kontroll.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 227 forca në terren, të mbështetura nga mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe mjete ajrore të Forcave të Armatosura.
Qarku Tiranë – Në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita, janë rishfaqur disa vatra dhe vijon ndërhyrja e monitorimi. Në Cikallesh, Kavajë, vatra është në rënie dhe po shkon drejt shuarjes së plotë. Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të vatrave të vogla. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qarku Fier – Në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht, Mallakastër, vijon puna për izolimin e vatrave. Zjarri është nën kontroll. Në Koilaç–Greshicë zjarri është izoluar dhe nën kontroll. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qarku Durrës – Në Abaze, Krujë, situata është stabilizuar dhe kanë mbetur vetëm vatra të vogla me prush dhe tym. Vijon monitorimi dhe ndërhyrja nga strukturat e angazhuara. Në lagjen Boje, Krujë, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor, është kërkuar urgjentisht angazhimi i 50 forcave ushtarake. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qarku Lezhë – Në Vilëz, Kurbin, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar 50 forca nga strukturat vendore, MZSH, Policia dhe vullnetarët. Ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë ka ndërprerë avancimin e zjarrit, duke shmangur djegien e kishës, varrezave dhe banesave përreth.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të mbrojtjes civile, duke monitoruar çdo vatër aktive dhe nevojat për mbështetje me kapacitete shtesë




