Tmerr në Itali/ I doli përpara për të mbrojtur nënën, 43-vjeçari shqiptar dhunon gruan dhe djalin 22-vjeçar

ITALI- Një ngjarje e rëndë dhune në familje është regjistruar në Viserbella të Italisë, ku një 43-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në flagrancë nga karabinierët, pasi ka dhunuar bashkëshorten e tij dhe ka goditur me grusht në fytyrë djalin 22-vjeçar, i cili kishte dalë në mbrojtje të nënës.

Sipas mediave lokale italiane, ngjarja ka ndodhur më 5 gusht në një hotel në Viserbella, ku 43-vjeçari, në gjendje të dehur, i kërkonte para gruas së tij nga rroga e saj si punëtore shtëpie për muajt qershor dhe korrik.

Gjatë sherrit, pasi u përpoq të dëmtonte edhe automjetin e një klienti, ai e goditi me grusht të birin në fytyrë. I riu kishte qenë në linjë duke folur me qendrën e operacioneve të policisë, të cilën e kishte njoftuar fshehurazi. Për të mbrojtur veten dhe nënën, 22-vjeçari e ka rrëzuar të atin në tokë dhe e ka mbajtur aty derisa në vendngjarje mbërritën karabinierët, ndërsa vetë i riu pësoi lëndime me një prognozë mjekësore prej 10 ditësh.

Hetimet e autoriteteve italiane kanë zbuluar se episodi i fundit ishte vetëm maja e ajsbergut të një dhune të vazhdueshme në familje që kishte nisur prej vitesh. Vetëm pak ditë më parë, më 2 gusht, burri e kishte sulmuar sërish gruan, duke i shkaktuar dëmtime fizike që kërkuar një trajtim me prognozë 30-ditore. Të nesërmen ajo kishte bërë padi, ndërsa më 4 gusht ai e kishte kërcënuar edhe në vendin e saj të punës.

Sipas dosjes hetimore, abuzimet kishin nisur që në mars të vitit 2020, ku në një rast tjetër ai kishte ushtruar dhunë të rëndë ndaj gruas dhe djalit të madh, duke e detyruar gruan në atë kohë të gënjente në spital se ishte rrëzuar.

Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë, dënimet e mëparshme dhe varësinë kronike të të dyshuarit nga alkooli, prokuroria ka kërkuar vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë paraburgim në burg. 43-vjeçari akuzohet zyrtarisht për dhunë të rënduar në familje, lëndime personale dhe kërcënime.