Elbasan/ Kapet me pistoletë, 35 fishekë dhe kokainë, arrestohet 32-vjeçari

ELBASAN- Një 32-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia në Elbasan, pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.

Operacioni policor, i koduar “Mbikëqyrja”, u finalizua nga Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan.

Në pranga u vu shtetasi D. R., 32 vjeç, banues në Elbasan.

Ai u kap në flagrancë në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, ku gjatë kontrollit fizik shërbimet e policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë, 35 fishekë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.

Në vijim të veprimeve procedurale, 32-vjeçari u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Arma e zjarrit, municioni dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.